Alban Bushi: Duam vendin e dytë! Broja tek U21? Ai ose Kumbulla, vendosim me Rejën

schedule11:14 - 24 Maj, 2021

schedule 11:14 - 24 Maj, 2021

Shqipëria U21 luan me Andorrën dhe Bullgarinë, më 4 dhe 8 qershor, dhe trajneri Alban Bushi ka dalë para mediave dhe u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme të gazetarëve.

“Jemi munduar të marrim lojtarët më në formë, që kanë marrë minuta. Janë të rinj, duhet të kenë etje, sidomos kur luajnë për Shqipërinë. Do flas fillimisht për ndeshjen me Andorrën. Jemi në grup të fortë dhe do synojmë vendin e dytë.

Shqipëri është ekip në rritje, jemi renditur në vendin e tretë dhe kemi çuar gati 19 lojtarë në kombëtaren A. Do mundohemi të bëjmë të njëjtën gjë. Ndeshja me Andorrën do impenjim dhe nuk janë ekip i lehtë. Kanë barazuar me Turqinë dhe kanë mundur Anglinë. Kemi më shumë cilësi dhe do të fitojmë, duke qenë të qetë në duelet me ta”.

“Grupi kryesor këta janë. Kemi shumë mungesa, si Tuci e Selmani. Edhe me këta që jemi mendojmë se do të bëjmë mirë. Lojtarët e kombëtares ndryshojnë, pasi marrim ata që janë më në formë. Duhet të luajnë mirë në klube, që t’i marrim. Jam i kënaqur nga kampionati shqiptar, pasi kanë nxjerrë shumë lojtarë”.

“Synojmë vendin e dytë. Një pjesë të mirë të lojtarëve i kemi dhe e dinë sa duhet vlerësuar një ndeshje. Vetëm me pikët që lamë me Andorrën mund të ishim në play-off. Kërkoj përherë maksimumin. Ata që nuk japin maksimumin në stërvitje, nuk do të jenë pjesë e Shqipërisë sa të jem unë”.

“Kemi komunikim të mirë me trajnerin Reja. Mundohemi të marrim prej tyre, por ekipi A është më e rëndësishëm. Do të marrim një lojtar shumë të mirë nga ekipi A kundër Andorrës, që mendoj se do të bëjë diferencën. Nuk janë Mitaj e Çepele, është emër tjetër. Do bëjë diferencën. kemi nevojë për lojtarë, na mungon Çuni. Do kërkoj nga ekipi A dhe do të vendosim. Broja? Do ta diskutojmë me trajnerin, nëse mund të jetë Broja ose Kumbulla”.

“E dimë është Anglia, i kemi provuar edhe vjet. Janë ekip i fortë. Ekipet tjera, Çekia, Sllovenia e Kosova janë të barabartë dhe mund ta zënë secila vendin e dytë. Përballjet direkte me to do të bëjnë diferencën për t’u renditur në vendin e dytë”.

LISTA – Më parë është shpërndarë edhe lista e lojtarëve që do të jenë nën urdhrat e tij për këto dy duele. Bien në disa lojtarë nga kampionati shqiptar, me portierin Vokli Laroshi të Turbinës i pari.

Për mbrojtjen Bushi ka ftuar Dragoshin, Markun dhe Ismajgecin nga Superiorja. Nuk mungon as Çelhaka i Tiranës, kurse në sulm janë ftuar edhe Tedi Cara e Mario Gjata. Risi është edhe Kosta Vangjeli, i Skënderbeut.

Shumica e lojtarëve vijnë nga kampionatet jashtë vendit dhe mes tyre bie në sy edhe “blerja” e mbrojtësit Ramen Çepele, i cili më parë është grumbulluar edhe nga kombëtarja e madhe. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!