Leja e shumëpritur nga mjekët më në fund ka ardhur për Raul Jimenez. Sulmuesi mund të kthehet me Wolves në fushë me kushtin për të mbajtur në çdo ndeshje a stërvitje përkrenare mbrojtëse, që eviton përsëritjen e dëmtimit.
Meksikani nuk luan që nga data 29 nëntor e vitit të shkuar, kur u dëmtua rëndë në një ndeshje të Wolves ndaj Arsenal, pas një dueli të ashpër kokë më kokë me David Luiz.
Pas përplasjes Jimenez ra pa ndjenja dhe u dërgua menjëherë në spital, ku diagnoza ishte e frikshme. Ai kishte pësuar frakturë në kafkë dhe iu desh të operohej në mënyrë të menjëhershme sepse i rrezikohej jeta.
Tashmë prej dy muajsh e gjysmë ai është kthyer në stërvitje të veçuar, nën masa të rrepta sigurie për shëndetin dhe të dielën pritet të kthehet në fushë për ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Manchester United. Super lajm! /abcnews.al