Kreu demokrat Lulzim Basha, në një komunikim me mediat pas deklaratave të kryeministrit Rama, kërkoi arrestimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë Ardi Veliu dhe drejtorit të policisë së Fierit, në kuadër të hetimeve për dosjen “Babalja”. Po ashtu kryedemokrati kërkoi dhe heqjen e imunitetit të deputetit dhe marrjen të pandehur të Taulant Ballës.
Lulzim Basha: “Iu bëj thirrje prokurorëve të ndershëm që tu rezistojnë urdhërave të paligjshëm dhe arbitrar të Donika Prelës dhe Arta Markut, që janë vënë në shërbim të Edi Ramës dhe krimit për të shkatërruar hetimet dhe provat. Besnikëria juaj duhet të jetë ndaj kushtetutës, ndaj ligjit, ndaj drejtësisë, ndaj popullit dhe jo ndaj politikanëve të inkriminuar dhe drejtuesve tuaj shërbëtorë të krimit. Iu bëj thirrje burrave dhe grave me kurajo në prokurori që në zbatim të ligjit dhe në kundërshtim të urdhërave kriminalë e të paligjshëm të nxjerrin menjëherë fletëarrestet për Ardi Veliun dhe drejtorin e policisë së Fierit. Të nisin menjëherë, pa humbur kohë, procedurën e heqjes së imunitetit dhe marrjes të pandehur të Taulant Ballës dhe të nisin hetimin për pengim të drejtësisë ndaj Edi Ramës, Fatmir Xhafës dhe Donika Prelës. Provat janë të qarta dhe ulëritëse dhe nga vetë fashikujt zyrtarë të qeverisë del zbuluar se si kupola e policisë dhe e prokurorisë, me përfshirjen e Taulant Ballës dhe në mbrojtjen e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës ka gjetur, manipuluar dhe paguar një dëshmitar të rremë për të shpëtuar narkotrafikantin Agron Xhafaj, vëllain e ministrit të brendshëm. Veproni sa nuk është vonë.”/abcnews.al