5 shtetas shqiptarë janë arrestuar në Itali dhe Greqi për trafikim të lëndëve narkotike. Pjesa më e madhe e drogës së sekuestruar në këto operacione ishte heroinë dhe kokainë.
Shqiptarët vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes në mediat fqinje për shkak të aktiviteteve të tyre të paligjshme. Policia italiane ka arrestuar dy shtetas shqiptarë për trafikim droge në Padova. Lajmi është bërë i ditur nga agjentët e vendit përtej adriatikut që theksojnë se në operacion është sekuestruar dhe një sasi prej 60 kilogramësh heroinë. Dy shqiptarët janë identifikuar me inicialet B.A dhe K.D të dy 32 vjeç dhe banues në Padova. Sasia e heroinës është gjetur në një apartment në qendër të qytetit. Sipas mediave italiane, shqiptarët do të përfitonin mbi 2 milionë euro nga shitja e heroinës. Hetimet kundër grupit kriminal kishin nisur që në korrik, muaj në të cilin ishin arrestuar 8 persona dhe 4 të tjerë ishin denuncuar. 11 prej tyre ishin shqiptarë dhe një Italian.
Një bilancë më i lartë i të arrestuarve me shtetësi shqiptare është verifikuar në Greqi. Mësohet se në pranga të policisë fqinje ranë dy shtetas 32 dhe 34 vjeç. Shqiptarët u arrestuan në Rodos për trafikim droge. Gjatë një kontrolli të imtësishëm, policia greke gjeti dhe sekuestroi në brendësi të një DVD gjysëm kilogrami kokainë.
Gjithashtu dhe në një operacion tjetër antidrogë, agjentët arrestuan dhe një shqiptar tjetër për trafik droge në afërsi të Patras. 31-vjeçari po transportonte me një makinë 41 kilogramë kanabis. Gjithashtu shqiptari kërkohej nga drejtësia greke për vrasje të mbetur në tentativë dhe për trafik droge./abcnews.al