Këngëtarja e famshme Liljana Kondakçi këtë të premte ishte e pranishme në programin “Abc e Pasdites” me moderatorin Ermal Peçi. Ajo u kthye shumë vite pas duke kujtuar momentet më të veçanta në gjithë karrierën e saj. Ndërsa Ermali e pyet nëse ka vendosur të mos jetë më në garat e festivaleve, Liljana u përgjigj duke theksuar se këtë gjë kurrë nuk e ka menduar dhe nuk e mendon.
“Nëse me bëhet ftesa unë do ta pranoja. Skena është shumë e dashur për mua deri sa të mbyll sytë”. Ajo tregoi një moment shumë interesant me këngëtaren e madhe Vaçe Zela, për të cilën pohoi se ajo përjetonte shumë emocione para interpretimit të një kënge në Festival.
“Kisha në skenë të madhen Vaçe e cila më bënte shumë përshtypje me interpretimin e saj, plus emocionet që kisha unë vetë si Lili, më shtonte edhe emocionin e saj… duke e parë unë që emocionohej, dridhej nga interpretimi që do t’i bënte këngës ajo dhe shpërthimi I saj ishte deri aty sa dilte nga skena dhe kuintat saqë 4-5 veta duhet ta qetësonin”.
Lili kujton këngën Mesnatë, ku kishte konkurrente Vaçe Zelën. “Gjithmonë i ka kënduar Vaçja çmimet, ndërsa në këngën “Mesnatë” ndryshuan gjërat. I tha drejtori, “këngën do e këndojë Liljana”; të çmimit domethënë. Mori çmimin e parë kënga. Dhe Vaçja tha ‘do ta këndosh ti se ti e këndove më bukur”. Liljana theksoi se për njëra-tjetrën kishin një emocion të fortë saqë kur duartrokitej Vaçja apo Nertila qanin apo kur duartrokitej ajo, përloteshin kolegët. /abcnews.al