Belgjikë, policia bastis selitë e klubeve të futbollit

schedule22:23 - 10 Tetor, 2018

schedule 22:23 - 10 Tetor, 2018

Policia në Belgjikë ka bastisur të mërkurën zyrat e klubeve më të njohura të futbollit nën dyshimin për transaksione të paligjshme dhe pastrim parash. Operacioni masiv është shtrirë në 6 shtete, tre prej të cilave në Ballkan.

Selitë e klubeve më të njohura të futbollit në Belgjikë janë bastisur të mërkurën nga policia, nën dyshimin e abuzimit me transfertat e lojtarëve. Agjentë, arbitra dhe drejtues të klubeve më të rëndësishme përfshirë Anderlehtin, Bruzhin dhe Standard Lizh janë nën hetim nga autoritetet, bëjnë të ditur mediat belge. Menaxheri i klubit të Bryzhit, Ivan Leko është marrë në pyetje bashkë me agjentin belgo-iranian Mogi Bajat.

Sipas burimeve mediatike, mbi 200 efektivë policie morën pjesë në operacionet e zhvilluara edhe në vende të tjera si Francë, Luksemburg, Qipro, Mal i Zi, Serbi dhe Maqedoni. Marrja në pyetje e menaxherit Ivan Leko, ekipi i të cilit po lufton për të ruajtur vendin në Çempions Lig pas humbjes 3-1 përballë Atletiko Madrid javën e kaluar, u konfirmua nga vetë klubi. Ndërsa agjenti i futbollistëve Mogi Bajat u arrestua në shtëpinë e tij dhe thuhet se është personi kyç në hetimin e autoriteteve i orientuar në pistat e mashtrimit financiar dhe pastrimit të parave. Hetimi, që nisi vitin e kaluar, është i fokusuar në një seri transaksionesh financiare të dyshimta në futbollin profesionist belg, të kryera gjatë sezonit 2017-2018. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!