E diela mund të sjellë të reja të rëndësishme nga Kategoria e Parë, pasi Egnatia mund të sigurojë matematikisht rikthimin në Superiore. Rrogozhinasit presin Besën në Peqin dhe me tre pikët vendi i parë në grupin B është i tyre dhe skuadra e Maganit mund të mendojë më pas për elitën.
Ky duel nis prej orës 15:00, sikurse edhe Pogradeci-Tomori. Këto skuadra janë në garë për vendin e dytë, që të jep edhe një shans të dytë për të shpresuar Superioren. Një ditë më parë, të shtunën, luhet një tjetër betejë e rëndësishme në grupin A.
Dinamo pret Korabin dhe me një fitore do e çonte në 4 pikë diferencën me dibranët dhe praktikisht do sigurohej Superiorja, pasi ndeshjen e radhës blutë e kanë me Vorën. Dueli i të shtunës është finalja e madhe për 18 herë kampionët e vendit.
Burreli pret Vorën të shtunë dhe normalisht synimi janë tre pikët, pasi një barazim në kryeqytet do t’i mbante ende në garë matjanët. Veçse për ngjitjen në Superiore, ka garë edhe për mbijetesën. Erzeni-Besëlidhja dhe Oriku-Veleçiku janë në program për grupin A, kurse në grupin B Turbina-Lushnja. /abcnews.al
KATEGORIA E PARË
E shtunë, më 1 maj, ora 15:00
Grupi A (Play-off)
Dinamo-Korabi
Burreli-Vora
GRUPI A (Play-out)
Erzeni-Besëlidhja
Oriku-Veleçiku
GRUPI B (Play-out)
Turbina-Lushnja
E diel, më 2 maj, ora 15:00
Grupi B (Play-off)
Pogradeci-Tomori
Egnatia-Besa