Pazari i Ri në Tiranë, krijohen hapësira të reja magazinimi për bizneset

schedule15:10 - 4 Tetor, 2018

schedule 15:10 - 4 Tetor, 2018

Pazari i Ri në Tiranë vijon të pësojë ndryshime. Për të ruajtur produkte tashmë janë krijuar magazina të posaçme. Kryebashkiaku Erion Veliaj bëri të ditur se bashkia po shqyrton mundësinë për ta lidhuar këtë zonë me sheshin “Skënderbej”.

Tregtarët në zonën e Pazarit të Ri në Tiranë tashmë frutat dhe perimet kanë mundësi t’i ruajnë në magazina të posaçme pranë vendit ku tregtojnë. Një vit pas transformimit, pazarit i është shtuar një tjetër hapësirë.

“Ka qenë gjithmonë dilemë mënyra si bëhet puna logjistike në pazar, me furnizimet në mëngjes, marrja e mallit pasdite. Ndaj, kemi hapur një hapësirë të jashtëzakonshme për magazinimin e mallit; kështu ruajmë origjinalitetin e një zone pedonale pa makina, pa motorë, për t’i vendosur këtu mallrat që nuk shiten, të cilat mund të tregtohen të nesërmen, dhe për të eliminuar në maksimum edhe hyrje-daljet e furnizimit. Ndaj, besoj që secili që ka një tezgë apo kryen një shërbim, do të ketë mundësi me një kosto shumë modeste të marrë edhe një hapësirë magazinimi”, tha Veliaj.

Por, transformimi i kësaj zone nuk ka përfunduar ende. Bashkia e Tiranës bashkë me partnerët e saj po shtyrton mundësinë për lidhjen e sheshit “Skënderbej” me Pazarin e Ri.

“Po shikojmë se si mund të lidhim dy hapësira të shkëlqyera, si sheshi “Skënderbej” dhe Pazari i Ri. Kemi një segment në mes të kolonave. Me gjasë, do të arrijmë në një marrëveshje të suksesshme, ku së bashku të krijojmë një ‘urë’ lidhëse, që zonat atraktive të Tiranës, si sheshi dhe Pazari, të lidhen me njëra-tjetrën, me të njëjtën cilësi siç janë këto dy pjesë të Tiranës”, nënvizoi Veliaj.

Ndërsa kryetari i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim Michael Granoff bashkëfinancues i projektit shprehu bindjen se bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës do të vijojë.

Një tjetër projekt i rëndësishëm është transformimi i Piramidës në qendrën më të madhe të inovacionit në Ballkan./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!