Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Sulm kibernetik në supermarketet franceze/ Piratët kompjuterikë ngrenë temperaturat e frigoriferëve, duke prishur produktet

schedule23:10 - 12 Tetor, 2026

schedule 23:10 - 12 Tetor, 2026

Qindra supermarkete në Francë janë goditur nga një sulm kibernetik që ka vënë jashtë funksionit sistemet e ftohjes, duke shkaktuar prishjen e sasive të mëdha të produkteve të freskëta dhe të ngrira. Dëmi ekonomik paraprakisht vlerësohet në miliona euro.

Hakerët arritën të merrnin kontrollin e softuerit që rregullon temperaturën e frigoriferëve dhe ngrirësve, duke bërë që disa prej tyre të ngroheshin deri në 50 gradë Celsius gjatë natës. Sulmi preku disa prej zinxhirëve më të mëdhenj të  Supermarketeve ne France.

Sipas të dhënave të bëra publike nga kompanitë, rreth 400 dyqane mund të jenë prekur nga incidenti, nga afro 15 mijë supermarkete që operojnë në Francë.



Më shumë se 100 supermarkete të rrjetit Coopérative U u vunë në shënjestër, ndërsa sulmi preku edhe 180 dyqane të Intermarché dhe markës së saj Netto. Për të parandaluar përhapjen e problemit, rreth 100 dyqane të tjera u shkëputën urgjentisht nga interneti.

Edhe Carrefour konfirmoi se sistemet e ftohjes ishin sulmuar në 80 nga rreth 6 mijë dyqanet e tij. Ndërkohë, Monoprix bëri të ditur se ishte prekur rreth 5 për qind e mbi 400 pikave të shitjes. Produktet, siguria ushqimore e të cilave nuk mund të garantohej, u hoqën nga shitja.

Sulmi shfrytëzoi dobësi në softuerin e ofruar nga kompania daneze e inxhinierisë Danfoss, i cili u mundëson bizneseve të kontrollojnë në distancë pajisjet e ftohjes. Sipas kompanisë, sistemet e prekura ishin modele të vjetra, për të cilat nuk mund të përditësohej më softueri i sigurisë, për të adresuar rrezikun e identifikuar.

Danfoss deklaroi se u kishte rekomanduar prej kohësh klientëve të mbanin të përditësuara sistemet që ende mbështeten nga kompania, duke theksuar se siguria dhe besueshmëria e pajisjeve të ftohjes janë thelbësore për aktivitetin e tyre. Pasojat u konstatuan të hënën në mëngjes, kur punonjësit e supermarketeve gjetën pajisjet e ftohjes të mbushura me ajër të nxehtë. Në disa pika u raportuan edhe zjarre të vogla.

Prokuroria e Parisit ka nisur një hetim të posaçëm për krimin kibernetik, duke e cilësuar incidentin si një sulm në shkallë të gjerë ndaj frigoriferëve të disa prej zinxhirëve kryesorë të tregtisë ushqimore në Francë. Komisioneri Evropian për Bujqësinë dhe Ushqimin, Christophe Hansen, dënoi sulmin në një reagim në rrjetin social X, duke paralajmëruar se siguria ushqimore kërkon më shumë vëmendje në të gjitha nivelet, pasi përdorimi i ushqimit si mjet presioni është bërë një realitet I ri.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur se kush qëndron pas sulmit, ndërsa përmasat e plota të dëmit dhe ndikimi i tij mbeten ende për t’u përcaktuar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!