Sekuestrohet një tjetër pasuri e Habilajve në Vlorë, në kuadër të Ligjit Antimafia. Një pikë karburanti, në pronësi të Artan Habilajt, është bllokuar me urdhër të Prokurorisë, pas dyshimit se është ngritur me të ardhura nga aktivitete kriminale.
Oficerët e Antikrimit Ekonomik në Vlorë vendosen këtë të mërkurë nën sekuestro një tjetër pasuri të familjes së Habilajve.
Me urdhër të Prokurorisë se Krimeve të rënda u vendos shiriti tek një pikë karburanti në afërsi të spitalit rajonal, e cila është në pronësi të Artan Habilaj, vëllait të Moisi Habilajt, nën hetim në Shqipëri dhe në Itali për trafik droge.
Pritet të ketë edhe të tjera urdhër-sekuestro që do të zbatohen në vijim. Por ende policia që mbështet këtë operacion të Krimeve të Rënda nuk ka dhënë detaje.
Me 21 shtator, Prokuroria për Krime të Rënda njoftoi sekuestrimin e 1 milionë eurove pasuri të vëllezërve Habilaj. Sekuestroja u vendos në kuadër të ligjit “Antimafia” dhe të gjitha këto pasuri janë të regjistruara në qytetin e Vlorës.
Në total bëhet fjalë për 8 apartamente, 5 ndërtesa, rreth 30 garazhde, 10 dyqane dhe 5 automjete. Në bazë të kontratave të blerjes së këtyre pasurive, shifra e shpenzuar nga Habilajt është mbi 1 miliardë lekë. Por, hetuesit dyshojnë se vlera e tyre është disa herë më e lartë, referuar çmimeve të tregut.
Gjithashtu, rezulton se pjesa më e madhe e pasurive janë blerë nga vëllezërit Habilaj gjatë periudhës 2016-2017. Gjatë kësaj periudhe ata kanë qenë nën hetim nga Prokuroria e Katanias, si të dyshuar për trafik narkotikësh nga Shqipëria drejt Italisë.
Në nëntor 2017, Prokuroria e Katanias lëshoi urdhër-arreste për anëtarë të grupit kriminal Habilaj. Por, pas hekurave aktualisht është vetëm Moisi Habilaj. Dy vëllezërit e tij, Artan dhe Florian Habilaj, të cilët gjendeshin në Shqipëri, nuk arritën të arrestoheshin. /abcnews.al