Mbi 1,000 të arrestuar në Rusi ndërsa vijojnë protestat për lirimin e liderit të opozitës

schedule08:50 - 22 Prill, 2021

schedule 08:50 - 22 Prill, 2021

Mijëra njerëz në Rusi kanë dalë në tubime të paautorizuara për të protestuar kundër ndalimit të liderit të burgosur të opozitës, Alexei Navalny.

Ata kanë bërë thirrje që Navalny, i cili ka qenë në grevë urie për javë të tëra, të lirohet dhe të marrë kujdesin e duhur mjekësor. Ndërkohë më shumë se 1,000 njerëz janë arrestuar.

Navalny 44-vjeç, u burgos në shkurt dhe po kërkon kujdes mjekësor për dhimbje akute në shpinë dhe mpirje të këmbëve, informon abcnews.al.

Të hënën, Navalny u transferua në një spital burg dhe mjekët atje thanë se gjendja e tij është e kënaqshme. Por nga ana tjetër, mjekët e Navalny-t thanë se nëse nuk merr mjekimin e nevojshëm mund të vdesë në pak ditë, pasi mund të pësojë në çdo moment atak kardiak.

Vendet perëndimore thonë se një agjent rus e ka helmuar atë. Sipas tyre, pas transferimit të tij në kujdesin intensiv në Berlin, toksikologët arritën në përfundimin se helmi ishte Novichok i shkallës së armëve ruse.

Perëndimi fajësoi shtetin rus për sulmin, ndërsa Navalny akuzoi drejtpërdrejt Presidentin Vladimir Putin. Kremlini i ka mohuar këto akuza, informon abcnews.al.

Protesta të mëdha po zhvillohen më Moskë, Shën Petersburg, Vladivostok etj.

Më shumë se 14,000 njerëz protestuan në 29 qytete, tha policia. Kjo përfshinte 6,000 njerëz që u mblodhën në Moskë. Por vlerësimet nga grupet e monitorimit kanë tendencë të tejkalojnë shumë shifrat zyrtare të policisë.

Navalny u burgos në shkurt për shkelje të rregullave të një dënimi me kusht për mashtrim në 2014. Ai thotë se çështja është ndikuar politikisht. Po ashtu, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut gjeti shkelje të drejtësisë në çështjen kundër tij./e.b-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!