“Xibraka” në apel, në 15 nëntor shpallet vendimi

schedule16:30 - 6 Nëntor, 2017

schedule 16:30 - 6 Nëntor, 2017

Të pandehurit e dosjes “Xibraka” i kërkuan Apelit të ndryshojë vendimin e Shkallës së Parë të Krimeve ndaj tyre, ku u dënuan me 104 vite burg në total. Avokatët këmbëngulën në zbatimin e gjykimit të shkurtuar, pafajësi dhe dënime të buta. Në 15 nëntor pritet të shpallet vendimi përfundimtar.

Ndërsa ka më shumë se dy vjet në qeli, Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Enver Hoxha, kërkoi të deklarohej i pafajshëm për akuzat që e lidhin me laboratorin e përpunimit të kokainës në “Xibrakë”. Kërkesa u parashtrua përmes avokatit të tij në Apelin e Krimeve të Rënda. Në seancën e kësaj të hëne kjo gjykata u njoh me ankimin e Hoxhës dhe 8 të bashkëpandehurve të dosjes kundër vendimit të Shkallës së Parë.
Në sallën ku nuk ishte i pranishëm asnjë prej të pandehurve, avokatët këmbëngulën në faktin se Shkalla e Parë gaboi kur nuk pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar. Avokatët hodhën poshtë ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal dhe pretenduan pafajësi, ose dënim vetëm për mbajtje të narkotikëve.

Prokuroria nuk kishte ankimuar vendimin e Shkallës së Parë. Prokurori i Apelit u bashkua me qëndrimin e avokatëve vetëm në kërkesën për gjykim të shkurtuar. “Kërkesa duhet të ishte pranuar në Shkallën e Parë dhe besojmë që Apeli do ta korigjojë këtë fakt”, tha prokurori. Në vijim përaqësuesi i akuzës tha se fajësia e të pandehurve është e provuar dhe si e tillë duhet të lihej në fuqi.

Nëse pranohet aplikimi i gjykimit të shkurtuar, të pandehurit e deklaruar fajtorë përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit.
Pasi u njoh me pretendimet, Apeli caktoi datën 15 nëntor për të dalë me një vendim përfundimtar për çështjen.
Në vendimin e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, shpallur në 11 korrik të këtij viti të pandehurit u deklaruan të fajshëm dhe u dënuan me 104 vite burg në total./abcnews.al

Dënimet në Shkallën I:

Ermal Hoxha 10 vjet

Genci Xhixha 13 vjet

Sajmir Batku 13 vjet

Ilir Hyseni 12 vjet

Cesar Avilla 12 vjet

Valter Moreno 12 vjet

Gentian Gjonaj 11 vjet

Kelmend Dalipi 11 vjet

Arjan Dalipi 10 vjet