Milani nuk është larg zonës Champions në Serinë A, por trajneri Gatuzo ende nuk është i kënaqur. Ish-futbollisti kampion tregon dobësitë e ekipit të tij dhe kërkon kohë.
Situata nuk është aq e keqe sa duket. Futbolli i suksesshëm është një projekt që kërkon kohë, dhe po këtë gjë thotë edhe trajneri i Milanit, Xhenaro Gatuzo.
Skuadra e tij, tepër e kritikuar dhe e nënvleftësuar, u ngjit në kuotën e 9 pikëve në Serinë A, pas suksesit 4-1 në fushën e Sasuolos, por njeriu i stolit nuk është plotësisht i kënaqur.
Natyrisht, zona Champions nuk është larg, nëse fitohet ndeshja e prapambetur, Milani do të ishte vetëm 1 pikë pas saj, ndërsa tradita të nxit të besosh.
Xhenaro Gatuzo, trajner i Milanit: “Për momentin, ne nuk jemi ende shumë mirë në mbrojtje. Ne nuk po mbrojmë si duhet si skuadër, dhe kjo është dobësia jonë kryesore. Duhet të bëjmë më shumë presion dhe këtë duhet ta përmirësojmë. Skuadra padyshim bën shumë gjëra të mira dhe kjo fitore na shton besimin. E dimë se duhet të jemi në majë, pasi jemi Milani, por kjo gjë kërkon kohë”.
A do të mundet që koha ta bëjë Milanin sërish të madh?
Kjo nuk mund të parashikohet lehtë, ndërsa një goditje për imazhin e kuqezinjve ishte refuzimi nga ana e Kristiano Ronaldos e ofertës prej 150 milionë eurove që iu bë në verë.
Ronaldo zgjodhi Juventusin, duke e quajtur Milanin jo një skuadër të elitës. Gjithsesi, pronësia e klubit ka ndryshuar, dhe ka kaluar në dorë të “Eliot Menixhment Korporejshën”, një kompani gjigande dhe agresive amerikane, që besohet se do ta ndihmojë të fitojë lavdinë e Epokës së Silvio Berluskonit.
Skuadra që ka në dorë Gatuzo është një përzierje mes lojtarëve të rinj me të ardhme, si Donaruma, Kalabria, Kutrone apo Haliloviç, dhe e lojtarëve të konfirmuar dhe me përvojë si Higuain, Bilia, Bonaventura apo Rikardo Rodrigez. Milani është ende larg klubeve më të fuqishëm financiarisht të botës si Reali, Barcelona, Mançester Siti apo Paris SG, por grupi amerikan Eliot besohet se do ta ngjisë në nivelin e më të mirëve./abcnews.al