Sllovaki, tre të akuzuar për vrasjen e gazetarit investigativ

schedule21:26 - 28 Shtator, 2018

schedule 21:26 - 28 Shtator, 2018

Autoritetet në Sllovaki kanë arrestuar 8 persona në lidhje me vrasjen e një gazetari investigativ 7 muaj më parë. Ekzekutimi i Jan KUÇIAK, i cili denonconte lidhjet e qeverisë sllovake me mafien italiane, shkaktoi protesta që çuan në rrëzimin e qeverisë.

Autoritetet gjyqësore në Sllovaki kanë ngritur akuzë ndaj 3 personave në lidhje me vrasjen e gazetarit investigativ Jan Kuçiak. Kuçiak dhe e fejuara e tij Martina Kusnirov u qëlluan për vdekje me armë zjarri në muajin shkurt, ngjarje që shënoi dhe vrasjen e parë të një gazetari në Sllovaki.

27-vjeçari po investigonte lidhjet e figurave të qeverisë me eksponentë të krimit të organizuar italiane. Mediat lokale bëjnë të ditur se 3 të akuzuarit ishin pjesë e 8 personave të arrestuar të enjten në një operacion policor. Prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës që 3 të akuzuarit të mbahen nën arrest, ndërkohë që 5 të tjerët janë lënë në gjendje të lirë.

Artikulli i fundit i Kuçiak, i botuar pas vdekjes së tij, fliste për lidhjet e mafias kalabreze me biznesmenë dhe politikanë sllovakë për të përfituar fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë dhe agrikulturën. Por ndërsa të arrestuarit mund të akuzohen për vrasjen materiale të gazetarit, urdhëruesit e saj mbeten ende të panjohur.

Vrasja e Kuçiak shkaktoi një seri protestash masive në mbarë Sllovakinë, të cilat detyruan kryeministrin Robert Fiko të jepte dorëheqjen. Pasardhësi i tij Peter Pelegrini ka përshëndetur arrestimet e fundit përmes një statusi në Facebook./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!