Maqedonia është në heshtje zgjedhore në pritje të referendumit të së dielës së 30 shtatorit për çështjen e emrit. Të shtunën do të votojnë të sëmurët, të burgosurit dhe ata që jetojnë jashtë vendit. Sipas komisionit të zgjedhjeve çdo gjë është gati dhe nuk ka asnjë problem që do të pengonte procesin e votimit.
Mesnatën e së enjtes ka përfunduar propaganda publike në Maqedoni duke i lënë vendin heshtjes 48-të orëshe para referendumit të së dielës për çështjen e emrit. Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Oliver Derkovski nga Manastiri deklaroi se shpërndarja e fletëvotimeve për referendumin ka filluar pas verifikimit që anëtarët e Komisionit kanë bërë në shtypshkronjën “Kiro Dandaro”. Ai vlerësoi se përgatitja e materialit për referendumin ka përfunduar shkëlqyeshëm.
Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale bëri të ditur se fushata “Qëndrimi juaj, e drejta juaj” e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, si një fushatë me interes publik, nuk bën pjesë në propagandën publike për referendumin dhe gjithashtu mund të transmetohet edhe të premten dhe të shtunën edhe pse tashmë do të jetë heshtje zgjedhore para referendumit. Sipas vendimit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, pyetja e referendumit do të jetë: “A jeni për anëtarësim në BE dhe në NATO, duke pranuar marrëveshjen e Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”
Të drejtë vote kanë 1.806.336 votues, të regjistruar në Listën Zgjedhore. Vendvotimet më 30 shtator do të hapen prej orës 7 deri në orën 19.
Një ditë para, të shtunën, do të votojnë të sëmurët, të pafuqishmit, personat në arrest shtëpie, të burgosurit, si dhe shtetasit e Republikës së Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit. Referendumi do të vëzhgohet nga rreth dhjetë mijë vëzhgues nga Maqedonia dhe rreth 500 vëzhgues të huaj./abcnews.al