Grupi i deputetëve “Miqtë e fëmijëve”, janë dakordësuar për të bërë disa ndryshime ligjore, për rregjistrimin e fëmijëve, që kanë lindur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Qëllimi i këtyre ndyshimeve është dhënia fund e burokracive, që kanë lënë shumë fëmijë shqiptarë pa shtetësi.
Për fëmijët e lindur jashtë vendit, regjistrimi bëhet në gjendjen civile të atij vendi dhe kur kjo është e pamundur, në përfaqësitë diplomatike ose konsullore shqiptare në vendin pritës.
Ky ndryshim në ligjin për gjendjen civile parashikon t’i japë zgjidhje çështjes së mosregjistrimit të një numri të konsiderueshëm fëmijësh pa shtetësi.
“Duke falenderuar ekspertët për punën e bërë, jeni të ftuar të jepni mendimet për projektin e paraqitur prej tyre, me qëllim që sipas kalendarit të Kuvendit dhe mbështetur në Rregulloren, projekti i ndrsyhimeve të shqyrtohet në Komisione dhe të përcillet për t’u miratuar në seancën plenare”.
Kjo është mbledhja e dytë e Grupit “Miqtë e fëmijëve” ku u nënvizua se ndryshimet ligjore janë një hap edhe në drejtim të përmbushjes së një prej pesë prioriteteve kyçe të integrimit evropian: garantimit të të drejtave të njeriut.
Kryeparlamentari Ruçi kërkoi gjithashtu nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile që të rregullojë e përmirësojë proceduat e çregjistrimit në rastet e vdekjeve si edhe propozoi që, në rastet kur gjykatat kërkojnë vërtetime fakti, analiza e ADN-së të mundësohet falas. /abcnews.al