West Ham fitoi 3-2 ndaj Leicester City, duel mes ekipeve që renditen në vendin e katërt dhe të tretë të Premier League. Një fitore e madhe për “Çekiçët”, të cilët po zhvillojnë një sezon fantastik nën drejtimin e David Moyes.
Sezon i mrekullueshëm deri tani edhe për Leicester City, që synon me çdo kusht kualifikimin në Champions League. Trajneri i “Dhelprave”, Brendan Rodgers foli pas humbjes rreth mungesave tek ekipi i tij.
Tifozët u befasuan kur nuk panë në fushë James Maddison, Hamza Choudhury e Ayoze Perez. Shkaku? Të tre lojtarët kishin organizuar një festë private në shtëpinë e lojtarit spanjoll (Perez).
Bashkë me ta dhe 18 persona të tjerë ishte edhe Harvey Barnes, i cili qëndron jashtë fushave për shkak të një dëmtimi. Një veprim i palejuar në këtë kohë pandemie dhe Leicester City nuk ka toleruar aspak.
Trajneri Brendan Rodgers, i cili lajmëroi lojtarët të braktisnin festën sapo mori vesh çfarë po bëhej, vendosi të mos i grumbullojë “rebelët” për sfidën ndaj West Ham, veprim të cilin e shpjegoi qartësisht për mediat.
“Jemi një klub që transmeton vlera. Nëse nuk japim disa ndëshkime, lojtarët nuk do të mësojnë kurrë. Ata janë njerëz shumë të mirë, por kush shkel protokollin përfundon jashtë ekipit“, deklaroi trajneri i Leicester City. /abcnews.al