Kryeministri Edi Rama u takua me disa të rinj në Gramsh nga ku deklaroi se socialistët kanë ditur si të përballen me dy sfidat më të mëdha, rindërtimin dhe vaksinimin. Rama u shpreh se sot Shqipëria nuk ka asnjë krahasim me atë të 6-7 viteve më parë.
“Koha e humbur në historinë tonë është shumë e gjatë nëse i lidh të gjitha fazat e saj. Shqiptarët rendën pas Haxhi Qamilit dhe e paguan shumë shtrenjtë. Ne kemi zgjedhur të përballemi sy më sy me sfidat e bartura me vite të tëra të cilave për shkak të udhëheqjes së gabuar Shqipëria i është shmangur. Sot Shqipëria nuk ka asnjë krahasim me atë që ishte para 6-7 viteve. Por është larg së qeni nga ajo që duhet të jetë dhe zgjedhja është shumë e qartë, nëse do vazhdojmë të ngjitemi për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë.
Nuk ka asnjë dyshim se Shqipëria që punon, prodhon dhe eksporton sot shumë më tepër se disa vite më parë. Shqipëria që ndërton të ardhmen e vet në turizëm. Shqipëria që shkon përpara përmes punës sepse e di që përmes punës mund të shkohet përpara. Duhet luftuar për t’i zgjidhur gjërat. Ne sot i kemi para syve pasojat e tërmetit dhe mijëra familje që e humbën çatinë brenda pak sekondash dhe përpjekjet që bëmë për t’u dhënë një strehë të ngrohtë.
Për të filluar trokitjet në dyert e botës. Duke u dhënë të gjithëve mundësinë të strehohen siç janë sot. Një pjesë e tyre ende nuk janë kthyer në shtëpi se janë ata që do shkojnë në lagjet e reja që duan pak më shumë punë. Me atë kujtim të freskët dhe faktet para syve kushdo që ka veshë për të dëgjuar e sheh dhe dëgjon që ne po dalim më të fortë. Nuk po dalim më të fortë ne socialistët por ne shqiptarët. Ne nuk i kemi ndarë familjet e goditura majtas apo djathtas. I kemi parë të gjithë sy më sy me dorë në zemër si shqiptarë dhe jemi bërë një bashkë me ta”, tha Rama.
Rama deklaroi se Shqipëria është sot në fashën më të lartë të vaksinimit ndërsa theksoi se kjo luftë mund të fitohet vetëm me forcën që është në pushtet.
“Ne ia dolëm të përballojmë pasojat e tërmetit dhe të sigurojmë vaksinat pasi BE na la jashtë planit. Sot Shqipëria është në fashën më të lartë për vaksinimin, për jetë të shpëtuara, për numrin e gjysheve dhe gjyshërve që u është kthyer buzëqeshja. Ne nuk i pamë si gjyshe demokratësh por si gjyshërit tanë.
Mos e harroni se këtë luftë mund ta fitojë vetëm kjo shumicë qeverisëse. Harrojeni se me ata të tjerët rindërtimi do kryhet siç po e kryejmë ne deri në fund. Harrojeni që Shqipëria që po e ndërtojmë ne mund të ndërtohet nga një tjetër forcë. Nuk ka forcë tjetër këtu përveçse shqiptarëve që besojnë tek puna dhe jo tek llafet, Nuk ka asnjë shans tjetër. Çdo gjë tjetër është sprovuar. Të përsërisësh të njëjtën gjë dhe të presësh rezultat tjetër do të thotë të jesh budalla”, u shpreh Rama.
Ai tha se ka ardhur nga emigracioni për shkak se do që ta ngrejë Shqipërinë në majë me mish dhe me shpirt.
“Mua nga emigracioni më ka sjellë maja që kam parë Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët. Për sa kohë shqiptarët duan të ngjiten në atë majë. Unë jam këtu për të dhënë mishin dhe shpirtin që ne ta kapim atë majën. Ne nuk jemi të rënë nga qiell. Nga qielli vetëm shiu bie. Ka një dallim të madh mes nesh dhe atyre. Ne jemi ajo forcë e karakterit të njerëzve të punës që nuk e kanë mëngjesin një rrugë nga shtëpia në kafe”, deklaroi Rama./mv.abcnews.al


