Presidenti i Iranit i është përgjigjur akuzave të Trump duke deklaruar se vendi i tij nuk dëshiron luftë me askënd, por nuk pranon sjelljet prej të forti të dikujt tjetër. Në linjë me qëndrimin e tij, presidenti Emanuel Makron ka deklaruar se shumëllojshmëria është një vlerë e shoqërisë së ditëve të sotme.
Presidenti i Iranit i është përgjigjur akuzave të Donald Trump në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke deklaruar se vendi i tij nuk dëshiron luftë me askënd. “Dua të jem i qartë për diçka, Irani nuk dëshiron luftë dhe as sanksione, kërcënime apo sjellje prej të forti”, ka deklaruar Ruhani. Duke komentuar largimin e presidentit Trump nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, Ruhani është shprehur se shmangia e detyrimeve ndërkombëtare është tregues i dobësisë dhe jo i forcës. “Kundërvënia ndaj shumëllojshmërisë nuk është tregues i forcës. Përkundrazi, ajo është simptomë e një intelekti të mangët që vë në dukje paaftësinë për të kuptuar dinamikat e komplikuara të botës sonë”, ka vijuar Ruhani. Ai ka kritikuar Uashingtonin për politikat armiqësore ndaj Teheranit, por ka nënvizuar se kjo qasje e administratës amerikane do të dështojë. “Lufta ekonomike që Shtetet e Bashkuara kanë nisur me valën e re të sanksioneve jo vetëm dëmton popullin iranian, por edhe popujt e tjerë, pasi kjo luftë ka lëkundur themelet e tregtisë globale”, ka shtuar kreu i Republikës Islamike.
Duke marrë fjalën pas tij, presidenti francez Emmanuel Macron është përpjekur të ofrojë një alternativë për zgjidhjen e problemeve globale. Macron ka deklaruar se, ligji i më të fortit, proteksionizmi dhe vetizolimi vetëm sa do të rrisin tensionet mes shteteve dhe popujve. Macron ka mbrojtur shumëllojshmërinë dhe nismat kolektive dhe ka paralajmëruar se, nëse parimet bazë të shoqërisë nuk mbrohen përballë nacionalizmit, bota mund të hyjë sërish në luftë. “Nuk mund ta pranoj erozionin e shumëllojshmërisë dhe as shthurjen e historisë. Fëmijët tanë po na shohin”, ka thënë Macron. /abcnews.al