Sipas raportimit të mediave kosovare Lidhja Demokratike e Kosovës po përpiqet të bindë Nismën e Fatmir Limaj që të bashkojnë votat për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Ramush Haradinaj.
Para më shumë se një viti falë iniciativës së deputetëve të Nismës, në Kosovë u bë i mundur rrëzimi i qeverisë së atëherëshme kryeministrit Isa Mustafa. E tashmë partia e këtij të fundit synon që me të njëjtin bashkëpunim të rrëzojë qeverinë e kryeministrit Haradinaj. Kjo për arsye se votat e opozitës nuk janë të mjaftueshme për të miratuar mocionin e mosbesimit.
Mediat kosovare raportojnë se deputetët e partisë Nisma së Fatmir Limajt mohojnë të kenë diskutuar për këtë çështje.
Partia e ish-kryeministrit Isa Mustafa, LDK po koordinohet me partitë tjera opozitare për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” nëpërmjet mocionit të mosbesimit pasi, siç thonë ata, vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Por votat e opozitës nuk janë të mjaftueshme të kalojë mocioni në Kuvend, prandaj partia më e madhe opozitare po synon që t’i bindë edhe disa deputetë të koalicionit qeverisës, përkatësisht ata të Nismës që ta përkrahin iniciativën e tyre./abcnews.al