Ajax-Roma është një nga duelet më interesante të raundit çerekfinal të Europa League. Përballja e parë do të luhet nesër në Amsterdam, duke nisur prej orës 21:00. Trajneri i “Harkëtarëve”, Erik ten Hag foli për mediat rreth duelit ndaj verdhekuqve.
51-vjeçari ka një respekt të madh për homologun Paulo Fonseca, sidomos për idetë e tij dhe futbollin ofensiv që praktikon. Në fund një koment rreth Italisë, vend që e adhuron dhe, ku i dihet, mund të punojë në të ardhmen.
“Kemi besim te cilësitë tona, skuadra është rritur dhe përmirësuar shumë. Një gjë e tillë na gëzon ne stafin teknik. E dimë që na pret një ndeshje e vështirë me Romën, duhet të jemi shumë të aftë për të siguruar një rezultat pozitiv.
Fonseca është një trajner fantastik, atij i pëlqen të luajë një futboll sulmues. Ai nuk mjaftohet me fitore, dëshiron të imponojë një futboll tërheqës, ky është shkaku pse më pëlqen shumë. Më pëlqen ideja e tij e futbollit dhe dëshira për të zbavitur tifozët.
Serie A? Më pëlqen shumë Italia, më pëlqejnë kultura dhe njerëzit. Më pëlqen shumë ai vend, sidomos mënyra se si përjetohet futbolli. Komb i shkëlqyer. Këtë vit u përballëm dy herë me Atalantën.
Në Itali barazuam 2-2, ndërsa në kthim na mposhtën. Dy vite më parë eliminuam Juventusin në Champions League. Do të firmosja për të marrë të njëjtin rezultat kundër Romës“, deklaroi trajneri i rekordmenëve holandezë. /abcnews.al