Presidenti i Ukrainës dëshiron të përshpejtojë procesin drejt anëtarësimit në NATO duke i dërguar kështu një mesazh Rusisë.
Volodymyr Zelenskyy i bëri thirrje vendeve të mbështesin vendin pas tensioneve në Ukrainën lindore. Më shumë se 13,000 njerëz janë vrarë në konfliktin në Ukrainën lindore, i cili filloi në 2014 pas një revolucioni pro-perëndimor në Kiev dhe aneksimit të Krimesë nga Moska.
Të martën, dy ushtarë të tjerë u qëlluan për vdekje në luftime me separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore. Incidenti i parë ndodhi pranë qytetit Avdiivka në rajonin Donetsk. Të dy ushtarët vdiqën nga plagët e marra të hënën, thanë autoritetet.
Tensionet kanë rritur frikën e përshkallëzimit të konfliktit. Zelenskyy gjithashtu u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s të forcojnë praninë e tyre ushtarake në rajonin e Detit të Zi.
Duke iu përgjigjur komenteve të Zelenskyy për anëtarësimin në NATO, Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidencës ruse, u tha gazetarëve: “Ne dyshojmë se kjo mund ta ndihmojë Ukrainën të zgjidhë problemin e saj të brendshëm. Nga këndvështrimi ynë, kjo do të përkeqësojë situatën edhe më shumë.”
Ukraina ka akuzuar Rusinë për aktivitetin e forcave të saj pranë kufijve lindorë të Ukrainës në javët e fundit, si dhe në gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Moska në 2014.
Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e NATO-s kanë shprehur mbështetje për Ukrainën. Të hënën, kryediplomati i Bashkimit Europian Josep Borell tha se aktiviteti ushtarak rus pranë Ukrainës ishte një situatë shqetësuese dhe shprehu mbështetjen për Ukrainën.
Presidenti i Ukrainës ka theksuar se konflikti është çështja më urgjente e vendit me shpresën se Ukraina do të anëtarësohet në NATO./abcnews.al