​Kurti: Eshtrat që u zhvarrosën në Kishevak u përkasin viktimave të luftës në Kosovë

schedule14:00 - 5 Prill, 2021

schedule 14:00 - 5 Prill, 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar sot masakrën në Rezallë të Skenderajt, ndërsa ka njoftuar se ka marrë informacione se eshtrat që janë zhvarrosur në Kishevak iu përkasin viktimave të luftës në Kosovë.

Kurti në një postim në Facebook shkruan se deri më tani ka dy identifikime të reja për të cilat janë në komunikim me familjet e personave të identifikuar.

POSTIMI

“Për çdo ditë përkujtojmë masakrat e para 22 viteve. Dje u mbushën 22 vjet nga masakra e Kralanit, kurse sot 22 vjet nga masakra e Rezallës. Në masakrën e Kralanit u vranë 87 shqiptarë që ishin qytetarë të komunës së Klinës, Malishevës, Gjakovës dhe Skënderajt.

Nga kjo masakër janë më shumë se 40 të zhdukur, vendndodhja e të cilëve ende nuk dihet. Ndërkaq, nga masakra e Rezallës kemi 98 viktima, shqiptarë të ekzekutuar, banorë të këtij fshati dhe të fshatrave përreth. Rezalla nga lufta e fundit kishte 44 të zhdukur, nga të cilët 2 viktima janë gjetur në ditët e para të pasluftës në Rezallë dhe 29 viktima tjera janë gjetur në varrezën masive Gurorja në Rudnicë të Rashkës. Rezallës i mungojnë edhe 10 persona të zhdukur gjatë luftës së fundit.

Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj. Nga masakra e Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë.

Andaj sot, krahas nderimit për të vrarët në masakrën e Rezallës, ne duhet të kujtojmë me nderim edhe rrëfimet tragjike të të mbijetuarve. Duhet të kujtojmë edhe Bacën Misin Deliu, të mbijetuarin e masakrës, i cili nga viti 2019 nuk është më në mesin tonë, por ‘ai mbijetoi dhe rrnoi për të tregu’.

Baca Misin në çdo përvjetor dhe mundësi që i është dhënë, ka rrëfyer historinë tragjike të një prej masakrave më mizore të kryera nga ushtria e Serbisë gjatë luftës në Kosovë. Ai rrëfente dhe fliste, sepse donte drejtësi. Prandaj drejtësia duhet të vendoset, krimet duhet të ndëshkohen.

Pikërisht në këtë përvjetor, kemi pranuar informatat se nga mostrat e eshtrave që janë zhvarrosur gjatë vitit të kaluar nga varreza masive në Kizhevak dhe janë dërguar për analizë të ADN-së, konfirmohet se këto eshtra iu përkasin viktimave të luftës në Kosovë.

Deri më tani ka dy identifikime të reja për të cilat jemi në komunikim me familjet e personave të identifikuar.

Varreza masive në Kizhevak të Serbisë ndërlidhet me varrezën masive në Rudnicë dhe ne presim që edhe personat e tjerë, viktimat nga masakra e Rezallës e që janë në listën e personave të pagjetur, të gjenden në Kizhevak. Megjithatë kjo do të dihet pasi të përfundojnë gërmimet dhe zhvarrimet në këtë lokacion, si dhe të përfundojnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore.” /abcnews.al/