Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi u shpreh sonte se propozimi i Edi Ramës për sjelljen e emigrantëve nga Bangladeshi është një përpjekje për të krijuar tregun e skllevërve në Shqipëri dhe jo tregun e punës.
Shehi argumentoi se Rama po fyen shqiptarët në mënyrë të turpshme me propozime absurde, në një kohë kur papunësia dhe pagat e ulëta po shpopullojnë vendin.
”Shqipëria ka pagat më të ulëta në rajon, aq sa shqiptarët po detyrohen të ikin të punojnë në Mal të zi, Maqedoni dhe Kroaci. Janë rreth 11% e krahut të punës të papunë, ky u thotë dembelë. Ky thotë do marrim punëtor nga Bangladeshi. Kjo qeveri, këta nuk duan punëtorë, duan skellvër.
Këta nuk duan treg pune, duan treg skllevërish kur vendi ka nevojë për treg pune. Do na vijnë nga Bangladeshi do punojnë me nga 200 dollarë këtu dhe ata do ikin në Perëndim, ashtu sikur ikën sirianët. Ka pasur edhe kinez këtu dhe kanë ikur. Dikur punonin në ndërtim kinezët, shkoni, shikoni a ka më kinezë që punojnë në ndërtim, jo kanë ikur jashtë vendit.
Kjo çështja e punëtorëve nga Bangladeshi është një formë turpi për t’ju bëre presion shqiptarëve. Kjo është teori korruptive e lidhur me ata që duan të abuzojnë me tregun e punës. Po s’u rritën rrogat nga ne, turp për ne se shqiptarët do të ikin” tha ai.
Dashamir Shehi pohoi se arroganca e Ramës në raport me Bechetin i kushtoi Shqipërisë 110 milionë euro. ”Sot për shkak të arrogancës së kësaj qeverie, gjykata ndërkombëtare vendosi që Shqipëria duhet t’i paguajë 110 milionë euro Bechetit. Këto para, do të ishin të mjaftueshme për tre katër mijë vende pune.
Cfarë është ky lloj bixhozi? Që humben 110 milionë në këtë formë? Këto janë humbjet e Shqipërisë dhe ne duhet të anulojmë këto, të anulojmë PPP-të e korrupsionit” tha ai./ db/ Abcnews.al