Trajneri i Interit, Antonio Conte, zhvilloi pak momente më parë konferencën e zakonshme para duelit me Bolognën. Italiani u ndal gjerë e gjatë tek kundërshtari i radhë si dhe kërkoi nga ekipi që ta rifillojë kampionatin aty ku e la me Torinon. Në fund, Conte komentoi edhe lojtarët që kaluan Covidin e shpreson që edhe D’Ambrosio të rikthehet sa më parë në skuadër.
BOLOGNA – “Do të jetë e rëndësishme të rifillojmë në mënyrën e duhur. Sigurisht që do të duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj Bolognës, pasi do të luajmë kundër një ekipi që ka një trajner të shkëlqyer si Sinisa Mihajlovic. Ata luajnë një stil agresiv të futbollit dhe ne po përgatitemi për këtë. Të gjithë lojtarët janë kthyer dje dhe po përpiqemi që të jemi në formën tonë më të mirë”.
MOTIVIMI DHE ROKADA E LOJTARËVE – “Ne duhet të përpiqemi dhe të fillojmë atje ku i lamë gjërat kundër Torinos. Nuk është kurrë e lehtë kur kthehesh nga pauza e kombëtareve, por përsëri lojtarët e dinë që nuk kanë shumë kohë. Duhet të qëndrojmë të qetë dhe të punojmë. Rokadat në duelet e ardhshme? Përpiqem të bëj zgjedhjet e duhura dhe me ekuilibër. Ndonjëherë kam të drejtë e ndonjëherë jo, por unë kërkoj që të gjithë lojtarët të jenë të gatshëm kurdoherë”.
SITUATA NË EKIP PAS RASTEVE ME COVID – “Handanovic rezultoi negativ shumë shpejt dhe u rikthye në stërvitje më herët se të tjerët. Vecino është kthyer gjithashtu në stërvitje para tre ditëve dhe është në gjendje të mirë fizike, pasi stafi im ka punuar me lojtarët edhe kur ata ishin të izoluar në shtëpi. De Vrij zhvilloi seancën e parë ditën e djeshme dhe është e pashmangshme që virusi do të ketë disa efekte tek lojtarët e infektuar, por do t’i mbajmë ato në një gjendje të mirë. Shpresoj që së shpejti të mund të na rikthehet dhe D’Ambrosio, pasi kemi nevojë për të gjithë”, përfundon Conte. /abcnews.al