Përveç mungesës së gjykatave më të larta, vendi po përballet edhe me sfida në organin e akuzës. Një panoramë e tillë në mjedisin e polarizuar politik, ku mungon dialogu, rrit tensionet. Këtë zhvillim të javës politike që lamë pas, sjell Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.
Lulzim Basha u sprovua fort në disa prej kauzave të tij javën politike që lamë pas. Ashpërsoi gjuhën, rriti denoncimet e komunikimin me mediat. Por asnjë prej taktikave nuk i solli rezultat, përballë një Keyeministri të fortë numerikisht, që i ka në rresht të vetët, e ka luksin të zgjedhë ridikulizimin, në vend të komunikimit me opozitën.
Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?
Të hënën e 17 shtatorit nisi aplikimin pagesa për përdoruesit e rrugës së Kombit, 100 lekë për kuksianët, ndërsa mjetet e tjera, sipas parametrave, me tarifa që nisin nga 660 lekë. Edhe pse kishte premtuar dhjetorin e kaluar se PD nuk do pranonte që kuksianët të paguanin për të kaluar në rrugën e Kombit, mungoi të paktën një qëndrim i dedikuar, ditën kur procesi nisi e vijoi normalisht, ndërsa kuksianët morën një falenderimin të personalizuar virtual nga KM Rama për respektimin e tarifës.
Atë ditë, që përkoi me nisjen e shkollave, i kishte shpërndarë deputetet nëpër zona, për të evidentuar rënien e numrit të nxënësve e mbylljen e disa shkollave në vend. Për këtë temë nisi përplasja mes Ramës e Bashës në rrjetet sociale. Secili tha çka deshi, duke luajtur me epitetin “kukull”.
Por Lulzim Basha e ka një kauzë të re, me të cilën e nisi këtë sezon politik. Përmes një videoje, publikoi në rrjetet sociale, ato që i konsideron si 5 rregullat kryesore për vettingun e politikanëve. Propozimi për amendim të kushtetutës, nuk po gjen mbështetje nga Rama e Basha po shtyn përpara pjesën teknike, futjen në procedurë parlamentare sipas rregullores . Javën politike që lamë pas, tentoi të sqarojë edhe vizualisht skeptikët e këtij procesi. /abcnews.al