Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku shfaqet duke përgatitur fjalimin që do të mbajë të premten në mbledhjen e grupit parlamentar dhe të qeverisë.
Në sfond të videos dëgjohen protestuesit që thërrasin “Rama, jepe dorëheqjen”, ndërsa kreu i qeverisë shprehet se kjo është kënga e tij e preferuar.
“Përshëndetje. Nuk e di a e di a e dëgjoni, kjo është kënga ime e preferuar. Jam duke shkruar fjalën për nesër në mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe të qeverisë. Desha të ndaj me ju këtë moment sepse ky kor më ekzalton. Shihemi nesër paradite, mbledhja fillon në 09:30. Do ishte kënaqësi të ndaja me ju të gjithë reflektimin tim mbi pasqyrën e bulevardit të flaimgove. Ai që ishte, se ky që ka mbetur është i sorrave dhe korbave”, theksoi Rama.
Në fjalimin e tij, Rama thotë se ata që mbushën bulevardin dhe rrjetet sociale nuk protestuan kundër Shqipërisë që Partia Socialiste ndërtoi gjatë tre mandateve të shkuara, ndërsa pjesë vijuese të tij, kryeministri duket që e ka lënë “surprizë” për të premten.
“Ju që mbushët bulevardin dhe rrjetet sociale me protestën tuaj, nuk protestuat kundër Shqipërisë që ne ndërtuam gjatë tre mandateve tona. Dhe kështu po flas posaçërisht , për ata jo të paktë që ishin votues, mbështetës apo dhe anëtarë të Partisë Socialiste”, thuhet mes tjerash në fjalimin, që vetë Rama tha se do thotë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS./abcnews.al



