Policia e Pogradecit ka vënë në pranga gjashtë persona të cilët përmes rrjeteve sociale mashtronin qytetarët dhe u merrnin para.
Në kuadër të operacionit të koduar”Kameleonët”, është bërë i mundur arrestimi i Klajdi Likaj, Dionis Daka, Genci Roko, Elis Molla, Kledi Hamati, Leonard Kalaja, dhe është shpallur në kërkim Klinti Cani.
Sipas policisë këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një skeme të mashtrimit kompjuterik për përfitimin e shumave të ndryshme monetare nga të gjithë shtetasit shqiptarë ose jo, të cilët kanë qenë të interesuar për të ndihmuar të mitur me probleme shëndetësore.
Gjithashtu mësohet se këta shtetas, për një periudhë rreth 6-mujore, kanë arritur të marrin qindra transaksione financiare nga shtetas shqiptarë ose jo, të cilët janë me banim në territorin e Shqipërisë, por dhe jashtë saj.
Ndërkohë në cilësinë e provës materiale u sekuestruan aparate celular, dokumente tërheqjesh monetare, një sasi lënde narkotike e dyshuar si kokainë etj.
Njoftimi i plotë:
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kibernetike.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kameleonët”.
Operacioni nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Komisariati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec.
Vihen në pranga 6 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.
Në kuadër të një procedimi penal në ndjekje, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Komisariati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec, kanë kryer hetime gjithëpërfshirëse në lidhje me verifikimin dhe ndjekjen penale të disa shtetasve, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”dhe “Falsifikimi kompjuterik”.
Pas kryerjes së hetimeve, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, ka ekzekutuar urdhrat e ndalimit ndaj shtetasve:
K. L., 23 vjeç, D. D., 29 vjeç, G. R., 41 vjeç, E. M., 37 vjeç, të katërt banues në Pogradec, K. H., 27 vjeç dhe L. K., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi K. C., 23 vjeç, banues në Pogradec.
Materiali hetimor i ndjekur nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një skeme të mashtrimit kompjuterik për përfitimin e shumave të ndryshme monetare nga të gjithë shtetasit shqiptarë ose jo, të cilët kanë qenë të interesuar për të ndihmuar të mitur me probleme shëndetësore.
Për këtë arsye, këta persona vendosnin në dispozicion të shtetasve të interesuar, llogari bankare apo të dhëna shtetasish të cilët do të ishin përfitues të donacioneve, duke i tërhequr ato në institucione të ndryshme financiare. Tërheqja bëhej nëpërmjet profileve të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme, por dhe dhënies së të dhënave të rreme për dërgimin e donacioneve, me qëllim që të mos gjendeshin në rast se organet ligjzbatuese do të viheshin në dijeni të këtij aktiviteti kriminal.
Këta shtetas, për një periudhë rreth 6-mujore, kanë arritur të marrin qindra transaksione financiare nga shtetas shqiptarë ose jo, të cilët janë me banim në territorin e Shqipërisë, por dhe jashtë saj.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan aparate celular, dokumente tërheqjesh monetare, një sasi lënde narkotike e dyshuar si kokainë etj.
Aktualisht po punohet me ritme të shpejta për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe evidentimin dhe vendosjen përpara drejtësisë edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
U kryen veprimet procedurale përkatëse dhe materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.
Njëkohësisht, Njësia për Hetimin e Krimeve Kompjuterike u bën thirrje të gjithë shtetasve që kanë dyshime të arsyeshme për funksionimin e skemave të tilla të na vënë në dijeni në adresën e postës elektronike [email protected] dhe në numrin e telefonit 0694155552, po ashtu dhe në aplikacionet e komunikimit si WhatsApp, Viber etj./abcnews.al