Trafik, pluhur, stres. Me këtë situatë janë përballur këtë të martë besimtarët katolikë gjatë rrugës për në kishën e Shën Ndout në Laç. Bllokim i shpeshtë i rrugës nuk është disiplinuar as nga forcat policore të shtuara në terren.
Veç numrit të lartë të qytetarëve nga I gjithë vendit që shkojnë në kishë, kaosi është shkaktuar dhe nga punimet që po kryhen në rrugë, trotuare apo prej inerteve që nuk janë pastruar pas shembjes së godinave nga tërmeti.
Disa banorë të Laçit dalin në rrugë për të përfituar para. Ky i mitur dhe familja e tij shesin qirinj.
“Dal të martave fitoj duke shitur qirinj 30 mijë lekë (të vjetra). Jam në klasë të gjashtë. Prindërit shesin dhe ata lart tek kisha.”
Pandemia nuk ka penguar pelegrinët që dhe në këtë të martë të 3 të vizitojnë kishën. Luten edhe për largimin e virusit që vazhdon të marrë jetë njerëzish.
“Kam ardhur nga Tirana, me u lut me na ba derman, me gjet paqe, me largu këtë sëmundje e çdo gjë tjetër.”
Përgjatë 13 të martave qyteti i Laçit pret mijëra besimtarë. Festa në kujtim të shenjtorit mbahet çdo vit në 13 qershor. /abcnews.al/