Vaksinat e Covid-19, pasaportat e vaksinimit dhe dokumentet e testimit negativ janë shitur dhe vijojnë të shiten në tregun e zi, shkruan BBC, informon abcnews.al.
Çmimet varijojnë nga 500 dollarë deri në 750 dollarë për dozat e AstraZeneca-s, Sputnik, Sinopharm ose Johnson & Johnson.
Certifikatat e rreme të vaksinimit po shiten gjithashtu nga tregtarë anonimë për më pak se 150 dollarë.
Studiuesit thonë se ata kanë parë një rritje të madhe të reklamave të paligjshme në lidhje me vaksinat, ndërsa akoma nuk është verifikuar nëse vaksinat janë të vërteta.
Studiuesit në kompaninë e sigurisë kibernetike Check Point kanë monitoruar forume piraterie dhe tregje të tjera që nga janari, kur u shfaqën për herë të parë reklamat e vaksinave.
Ata thonë se numri i reklamave që kanë parë është trefishuar në më shumë se 1,200, dhe shitësit janë nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Gjermania, Franca dhe Rusia. Ekipi gjeti reklama të shumta në tekst cirilik rus, si dhe në anglisht, informon abcnews.al.
Vaksinat e reklamuara përfshijnë Oxford-AstraZeneca me 500 dollarë dhe Johnson & Johnson dhe Sputnik secila me 600 dollarë dhe Sinopharm me 750 dollarë.
Duke iu referuar reklamave, shitësit ofrojnë dorëzime brenda ditës ose kanë ofertën “bli dy merr një falas”
Një reklamë në një forum piraterie është ofrimi i testeve të rreme negative, dhe lexon kështu: “Ne bëjmë teste negative Covid, për udhëtarët jashtë vendit, për të gjetur një punë etj. Blini dy teste negative dhe merrni të tretën falas!”.
Oded Vanunu, kreu i hulumtimit në Check Point tha: “Është e domosdoshme që njerëzit të kuptojnë se përpjekja për të marrë një vaksinë, një certefikatë vaksinimi ose rezultat negativ të testit Covid-19 me mjete jozyrtare është jashtëzakonisht e rrezikshme, pasi hakerat janë më të interesuar në paratë, informacionin dhe identitetin tuaj”, informon abcnews.al.
Vanunu gjithashtu i tha për BBC se ekipi i tij bleu një dozë të vaksinës Sinopharm nga një shitës për 750 dollarë si pjesë e kërkimit të tyre, por ende nuk e kanë marrë atë.
Check Point po nxit vendet të miratojnë një sistem të kodit QR në të gjithë dokumentacionin e vaksinave për t’i bërë falsifikimet më të vështira./Përshtati nga BBC, e.b-abcnews.al