Erdenis Gurisha u ndëshkua me karton të verdhë në ndeshjen e fundit kundër Kastriotit dhe nuk mund të luajë në sfidën e javës së ardhshme ndaj Partizanit. Për kapitenin e kuqebluve ishte kartoni i tetë i verdhë dhe do i duhet ta ndjekë nga tribuna duelin me “Demat e kuq”.
Thomas Brdaric duhet të gjejë një zgjidhje për krahun e djathtë të mbrojtjes. Abdurrahman Fangaj nuk është ende gati për të debutuar dhe gjasat janë që gjermani të marrë vendimin e zakonshëm dhe ta spostojë në prapavijë Arsid Krujën.
Gjithsesi te Vllaznia ka edhe lajme të mira sa i takon organikës, pasi rikthehen nga pezullimi dy mesfushorë titullarë. Ardit Krymi dhe Fjoart Jonuzi, të cilët nuk luanin kundër Kastriotit për shkak kartonësh, rikthehen dhe janë gati për Brdaric. /abcnews.al