Kuvendi i Kosovës pasditen e kësaj të hënë do të zhvillojë dhe seancën plenare, ku do të bëhet votimi për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Mediat e huaja bëjnë me dije se seanca për formimin e Qeverisë së Kosovës e cila do të udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese do të zhvillohet në ora 17:00.
Orë më parë, kryeparlamentari Glauk Konjufca i ka dërguar një letër liderit të VV-së, Albin Kurti ku ka kërkuar propozimin e emrit për mandatarin e ri të qeverisë. Ndërkohë në përgjigjen e kthyer nga Kurti, për presidentin ka bërë me dije se seanca plenare do të zhvillohet pasditen e kësaj të hëne në orën 17:00.
Kurti sot nuk pranoi të bëjë të ditur disa nga emrat e ministrave të rinj, por në media tashmë janë përmendur disa prej tyre siç janë: Donika Gërvalla, Arbërie Nagavci, Armend Mehaj, Liburn Aliu, Rozeta Hajdari, Albulena Haxhiu e disa të tjerë. Duhet përkujtuar që nga zgjedhjet e 14 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje doli subjekti politik fitues edhe pse Albin Kurtit, nuk iu lejua kandidimi për deputet të Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë në këtë seancë do të mësohet dhe nëse Vetëvendosje ka dërguar emrin e Kurtit për kryeministër, apo të Arben Vitisë siç edhe u përmend mëngjesin e sotëm.
Sot është bërë edhe konstituimi i Kuvendit të Kosovës të legjislaturës së tetë me radhë, ku 58 deputetë janë nga Vetëvendosje, 19 nga PDK, 15 deputetë nga radhët e LDK-së dhe tetë deputetë ka AAK-ja.
Kryetar i Kuvendit të Kosovës u zgjodh Glauk Konjufca, nënkryetarë u zgjodhën Saranda Bogojevci, Bedri Hamza dhe Kujtim Shala.e.su./abcnews.al


