Nga Xhensila Kodra
Një muaj para zgjedhjeve, Policia e Shtetit ka nisur zbatimin në terren të masave të ndërmarra që në muajin dhjetor për mbarëvajtjen e procesit në zgjedhjet e 25 prillit. Trajnim në terren po kryejnë edhe oficerët e rinj që sapo kanë përfunduar Akademinë e Sigurisë.
Për të luftuar krimet zgjedhore efektivët do të zbatojnë një plan masash të shtrirë në katër faza. E para është ajo e përgatitjes në terren, faza e dytë është garantimi i rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të votimit, faza e tretë është shoqërimi i kutive pas mbylljes së procesit të votimit, si dhe faza përfundimtare do të jetë gjatë numërimit të votave dhe shpalljes së rezultatit.
Në terren do të angazhohen edhe agjentë të policisë kriminale, edhe pse nuk ka ende një numër konkret të efektivëve që do të zbresin në terren gjatë procesit zgjedhor, është parashikuar që në çdo KZAZ do të qëndrojnë nga dy punonjës policie. Ndërsa në zonat e cilësuara si më me rrisk një grup oficerësh do të qëndrojnë në gatishmëri.
Kjo pasi ligji tashmë parashikon që policia do të ndërhyjë edhe në qendrat e votimit, kur konstatohen shkelje të rregullave, sipas kërkesës së anëtarëve të KZAZ-së.
Nga ana tjetër, krahas detyrave për ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë procesit zgjedhor, policia do të jetë e angazhuar për të monitoruar njëkohësisht dhe zbatimin e masave anti-Covid. /abcnews.al