Librat po kthehen në makth për Donald Trump. Ndërsa “Frika” i gazetarit Bob Uduord ka arritur majat e klasifikimeve, stafeta pritet t’i kalojë aktores së filmave pornografikë që pretendon se ka patur një aferë me presidentin. Libri i saj, “Demaskim i Hapur” do të dalë në shitje në tetor.
Libri i gazetarit Bob Uduord mbi Donald Trump ka tejkaluar pritshmëritë. Që nga e marta, dita e daljes në treg, libri me titullin “Frika” ka shitur mbi 750 mijë kopje. Lajmin e ka bërë të ditur shtëpia botuese “Sajmon end Shuster”. Bëhet fjalë për një shitje rekord sa i takon gjinisë së librave faktikë, që përveç edicionit të printuar ka edhe atë elektorik e atë audio. “Frika” pritet t’i bashkohet kështu një tjetër best seller-i mbi Trump, “Zjarr dhe Tërbim” i Majkëll Ullf, që doli në shitje në fillim të vitit dhe që në ditët e para u blenë mbi 1 milion kopje. Shtëpia botuese ka bërë me dije se ka porositur tashmë ribotimin me 1.15 milionë kopje të librit që e përshkruan Trump si një president mashtrues dhe hileqar. Por krahas atij të Uduord, një tjetër libër pritet t’i prishë humorin presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ish-aktorja e filmave pornografikë, Stormi Daniels, që pretendon se ka patur një marrëdhënie me Trump para se të bëhej kryetar shteti, do ta rrëfejë aferën në librin e saj me titull “Demaskim i Hapur”. Daniels, emri i vërtetë i së cilës është Stefani Kliford, ka bërë me dije se libri i saj do të dalë në shitje më 2 tetor dhe do të tregojë jetën e saj dhe betejën ligjore me presidentin për t’i dhënë fund marrëveshjes që e detyron të heshtë mbi aferën. Në vitin 2016, gjatë fushatës elektorale, aktorja u pagua 130 mijë dollarë nga avokati personal i Trump për të mos e publikuar historinë që mund të dëmtonte figurën e tij. /abcnews.al