Josa: Goditje eliminimi nga Kupa, gabuam te goli. Krahët problemi ynë i madh

schedule18:18 - 17 Mars, 2021

schedule 18:18 - 17 Mars, 2021

Kukësi po has probleme këtë sezon. Renditja në kampionat nuk është më e mira, teksa sot erdhi edhe eliminimi nga Kupa e Shqipërisë pas humbjes 1-0 në Durrës përballë Teutës. Trajneri i skuadrës verilindore, Mirel Josa tregoi për Supersport se ku gabuan sot djemtë e tij.

Kishte dëshirë në skuadër, kishte dëshirë për të fituar ndeshjen. U ndëshkuam shumë shpejt, edhe pse i kishim parashikuar lëvizjet e kundërshtarit. Duhet të kishim një mbyllje më të mirë nga krahu i djathtë, të kishte një komunikim më të mirë mes qendërmbrojtësit dhe mbrojtësit të djathtë. Skuadra u mundua më pas, patëm dy raste në pjesën e parë.

U munduam të luajmë në pjesën e dytë, tentuam të luajmë nga krahët, por nuk shkuam në konkludim përpara portës, edhe pse shtuam forcat sulmuese. Nuk mund të them që përpjekja e skuadrës nuk ishte e plotë. Ishte, por këto gjëra ndodhin në futboll.

Në këto momente nuk i vë faj vetëm dy sulmuesve, të cilët duhet të ishin më penetrues dhe finalizues. Edhe dy krahët duhet të punonin më mirë, Taipi bëri një lojë deri diku të mirë sa i përket organizimit të lojës, por treguam probleme të mëdha në befasinë e kundërshtarit në fazën sulmuese.

Finalizimin nuk e presim vetëm nga Ibraimi dhe Eze. Eze pati dy raste, por ne duhet të shkojmë me të dy krahë tonë, duhet të kishim një prezencë shumë më të madhe në zonën e rreptësisë së Teutës. Ky është një problem që është shfaqur edhe më parë, dy krahët rrinë shumë larg.

Eze duhet të ishte më deciziv, sidomos edhe në rastin e fundit. Logjika e lojës u prish pak me futjen e Copper përpara. Menduam ta përdorim si torrë dhe pikë referimi, që të kishim dendësi më të madhe. Me topat e gjatë bëmë disa veprime shumë dëshpëruese.

Nuk i druhem reaksionit negativ të skuadrës, lojtarët duhet të marrin më shumë përsipër, duke marrë parasysh personalitetin e tyre. Personaliteti nuk formohet rrugës. Eliminimi nga Kupa është një goditje për ne. Nga kampionati jemi larg, por do të luajmë për të rritur prestigjin e skuadrës“, përfundoi trajneri i Kukësit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!