Prej dekadash tashmë është krijuar një stereotip në lidhje me karakteristikat e ligave kryesore në Europë. Edhe në fund të botës thonë se në Itali është e vështirë të shënosh dhe se në Spanjë e Angli janë sulmuesit më të mirë në botë.
Por duket se në vitet e fundit është përmbysur gjithçka. Statistikat e këtij sezoni deri më tani tregojnë të kundërtën e asaj që e dinim të gjithë. Serie A është kampionati ku shënohen më shumë gola dhe janë disa nga goleadorët më të mëdhenj.
Një statistikë e nxjerrë së fundmi nga Sofa Score, program nën patronazhin e OPTA, tregon se Serie A është kampionati ku janë shënuar më shumë gola mes 5 më të mirëve të kontinentit, 806. Në vendin e dytë renditet kampionati i renditur më poshtë në koeficientin e UEFA, Ligue 1 me 778 gola.
Vetëm në tre vendet e fundit renditen tre ligat, që ne i kemi konsideruar gjithmonë si më spektakolaret në kontinentin e vjetër. Në Premier League janë shënuar 740 gola dhe renditet e treta. Në Bundesliga është tundur rrjeta 677 herë, ndërsa në LaLiga, që renditet e fundit janë shënuar 662 gola. /abcnews.al