Në të dy krahët e Policisë Rrugore të kryeqytetit janë të dislokuara prej muajsh automjete të përplasura të cilat janë kthyer në shqetësim për qytetarët e zonës së Ish-Kinostudios.
Mbi 20 automjete qëndrojnë prej muajsh në këtë gjendje. Shumica e tyre janë përfshirë në aksidente me vdekje dhe po ashtu në plagosje të rëndë rrugët e kryeqyetit.
Qytetarët shprehen të tmerruar nga këto mjete dhe kërkojnë zhvendosjen e tyre në një ambient tjetër.
Qytetare 1: Normal këto duhet të kenë një vend që të grumbullohen se këtu kalojnë njerëz, duken keq, shof edhe kalamaj që luajnë duken shëmtut. Duhet të ketë një vend ku të grumbullohen.
Qytetare 2: Kaos, ç’rregullim, nuk e di, nuk është e hijshme për t’u parë, duhet të marrin masa jo vetëm për qarkullimin, se është dhe ndotje pamore.
Qytetare 3: Më vjen shumë keq, nuk gjen vend ku të kalosh, e shikoni dhe vetë jeni dëshmitarë është shumë keq.
Të kontakuar nga ABC News, vetë drejtoria e Policisë Rrugore në Tiranë e ka të pamundur sistemimin e automjeteve të përplasura në ambienteve e saj të brendshme. Ambientet e Policisë Rrugore frekuentohen nga një numër i lartë qytetarësh të cilët marrin shërbime dhe paguajnë detyrime, ndërsa duhet të përballen gjithashtu me këto pamjet.
Gjatë 3 muajve të verës mbi 50 aksidente me vdekje ndodhën në të gjithë vendin, ku një pjesë e mirë e tyre ndodhën edhe në Tiranë. /abcnews.al
Gazetar: Andi Qosja