Ushqimet e skaduara duhet të asgjësohen nga autoritetet përkatëse, por në Lushnjë ato hidhen në koshat e plehrave. ABC News ka mësuar se shumë nga ato produkte po përdoren e konsumohen nga banorët e varfër.
Në etiketat e produkteve duket qartë data e skadencës dhe viti. Shumë nga ato afatin e përdorimit e kanë patur deri në vitet 2016-2017.
Jashtë kameras banorët në lagjen “Xhevdet Nepravishta” në Lushnjë tregojnë që sapo koshat e mbeturinave mbushen me ushqime, familjet në nevojë nxitojnë t’i marrin ato.
Kryesisht detergjentët dhe ushqimet e paketuara. Ata u druhen vetëm kutive të qumështit dhe çokollatave. I lënë në kosh pasi kanë frikë t’i konsumojnë.
Artikujt e tjerë karamelet, patatinat, pijet freskuese, lëngjet e frutave, apo pijet energjike në të shumtën e rasteve rrëmbehen sapo hidhen nga subjektet tregtare.
Nga ana tjetër autoritetet ligj zbatuese akoma nuk kanë marrë masa për kontrolle mbi subjektet tregtare në zonë.
Nuk dihet sasia e tregtuar, por e dukshme është kjo sasi e filmuar nga kamera e ABC News.
Deri tani nuk ka asnjë njoftim nga AKU për asgjësimin e mallrave të skaduara të ushqimeve në Lushnjë.
Gazetare e ABC News, Lushnjë: Anila Sefa



