Dy qytetarë të Kavajës janë ndarë nga jeta ditën e sotme pasi humbën luftën me koronavirusin. Viktimat janë efektivi i policisë Harun Hasa dhe doktori Mehmet Demrozi. Polici u nda nga jeta në moshën 54-vjeçare.
Disa ditë pas infektimit gjendja e tij u rëndua duke mos e përballuar sëmundjen. “Ndahet nga jeta në moshën 54 vjeçare efektivi i Policisë Harun Hasa. Ngushëllime Familjes dhe miqve! Qoftë i Xhenetit” shkruan një nga faqet e qytetit të Kavajës në Facebook.
Paradite ndërroi jetë doktori i njohur i qytetit Mehmet Demrozi. “Trishtim. Sot u nda nga jeta një tjetër mik i qytetit! #COVID19 nuk e kurseu Doktorin e nderuar Mehmet Demrozi që i shërbeu plot përkushtim e devotshmëri të rrallë banorëve të Kavajës tonë gjatë gjithë jetës së tij profesionale.
Ishte në pension dhe prapë në vend të rehatisë, zgjodhi të rikthehej në detyrë sepse qyteti i tij kishte nevojë për të. Ngushëllimet më të sinqerta familjes me urimin se Zoti do i japi forcë për ta përballuar dhimbjen e humbjes!
Pushofsh në paqe doktor Meti!.. dhe ndërkohë që humbjet e të dashurve na hidhërojnë; pikërisht në mes të ditës, në mes të qytetit, sot janë të njëjtët të papërgjegjshëm që hedhin valle mbi fatkeqësinë ditën për diell, mes turmash pa maska, pa mbrojtje, pa distanca duke rrezikuar të gjithë ata, që si të babëzitur i kërkojnë votën në këmbim të shëndetit, jetës vetë!
Si banda vandale të rikthyera nga e kaluara me të cilën i kanë akoma të palara hesapet, bllokojnë qarkullimin hipur mbi makinat e tyre luksoze për të treguar pushtetin që kurrë më nuk do ta kenë! Turp! Kavaja nuk kthehet pas!” shkruan kryetari i bashkisë së Kavajës Redjan Krali./ db/ Abcnews.al