Samiti Iran-Rusi-Turqi për Sirinë: Konflikti nuk zgjidhet ushtarakisht

schedule19:36 - 7 Shtator, 2018

schedule 19:36 - 7 Shtator, 2018

Në Teheran është zhvilluar samiti i radhës mes liderëve të Iranit, Turqisë dhe Rusisë lidhur me zhvillimet e fundit në Siri. Erdogan, Putin dhe Ruhani u dakordësuan se konflikti në Siri nuk mund të zgjidhet përmes ushtrisë por për këtë duhet proces politik.

Liderët e Turqisë, Iranit dhe Rusisë që morën pjesë në samitin trepalësh për Sirinë të mbajtur në kryeqytetin iranian, Teheran, përmes një deklarate të përbashkët përfundimtare që u publikua pas samitit theksuan se kriza në Siri nuk mund të zgjidhet ushtarakisht, por përmes procesit politik. Në deklaratë u njoftua se tre liderët, Recep Tayyip Erdoğan, Hasan Ruhani dhe Vladimir Putin kanë diskutuar zhvillimet që ndodhën në Siri pas samitit të dytë trepalësh të mbajtur më 4 prill të këtij viti në Ankara.

Sipas deklaratës, liderët kanë përshëndetur suksesin e formatit të bisedimeve të Astanas që nga janari i vitit 2017 dhe veçanërisht përparimin e arritur për uljen e dhunës në Siri dhe kontributin për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në këtë vend. “Ata theksuan zotimin e vazhdueshëm dhe të fuqishëm për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Republikës Arabe të Sirisë dhe për qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së dhe nënvizua nevoja që këto të respektohen nga të gjitha palët”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë, liderët kanë refuzuar të gjitha përpjekjet për krijimin e realiteteve të reja në terren nën petkun e luftës kundër terrorizmit, duke theksuar vendosmërinë për të kundërshtuar agjendat separatiste që shënjestrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë dhe kanë për qëllim dobësimin e sigurisë kombëtare të shteteve fqinje. Deklarata përfundimtare thekson se liderët kanë rënë dakord për të diskutuar gjendjen në zonën e deeskalimit të Idlibit në kuadër të këtyre parimeve, në përputhje me frymën e bashkëpunimit e cila përkufizon formatin e bisedimeve të Astanas. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!