Serena Uilliams arrin në finalen e US Open

schedule22:54 - 7 Shtator, 2018

schedule 22:54 - 7 Shtator, 2018

Serena Uilliams është edhe një herë tjetër fare pranë fitimit të një titulli Grand Slem. Tenisja e madhe amerikane synon të barazojë rekordin botëror.

Një amerikane do të jetë në finale.

Publiku në stadiumin “Artur Ejsh” në Nju Jork, do të shohë Serena Uilliamsin në përpjekjen e saj më të fundme për të fituar një Grand Slem. Një vit pas lindjes së vajzës, dhe vetëm pak javë pas humbjes së finales së Uimbëlldonit, kampionia 36-vjeçare është vetëm një ndeshje larg titullit në US Open.

Suksesi në gjysmëfinale ishte i denjë për emrin dhe famën e saj, ndërsa iu deshën vetëm 66 minuta ndaj letonezes së re, Anastasija Sevastova. Rezultati i seteve ishte 6-3 e 6-0, ndërsa Serena mbërriti në ndeshjen e 31-të fundore në karrierë, duke synuar titullin e 24-t Grand Slem.

Nëse ia del, amerikania do të barazojë australianen Margaret Kërt, si rekordmene e epokës moderne të tenisit. A do t’ia dalë 36-vjeçaria, që humbi në Uimbëlldon përballë gjermanes Kerber?

Do të jetë padyshim favorite, edhe pse rivalja e saj, japonezja Naomi Osaka, nuk ka ndërmend të luajë për të humbur. Flitet për një talente të vërtetë, vetëm 19-vjeçare, që nuk e pati aspak problem të thyente vajzën e shtëpisë, Medison Kejs, me shifrat 6-2 e 6-4.

E rritur pikërisht në Nju Jork, Osaka ishte vetëm 1 vjeç kur Serena fitoi Grand Slemin e parë, ndërsa tani shpreson që ta mundë. Jo më kot japonezja quhet si talenti më i spikatur i tenisit të femrave kohët e fundit./abcnews.al