Kongresi Amerikan ka publikuar disa artikuj të krijuar nga Rusia ne rrjetet sociale për të ndikuar në fitoren e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale. Në materialet që janë lexuar nga 126 milionë amerikanë, kandidatja demokrate Hilari Klinton krahasohej me Djallin.
“Amerikë, kemi një problem. Pavarësisht se këtu gjenden mendjet më të ndritura të komunitetit tonë teknologjik, Rusia ishte në gjendje të armatosë platformat tuaja për të na përçarë, të krijojë lajme të rreme për ne dhe të diskretitojë demokracinë tonë”. Me këto fjalë, Xheki Speir, përfaqësuese demokratike në Komisionin e Inteligjencës së Dhomës, në seancën e dytë dëgjimore, ka treguar artikujt e fashmëm të përdorur nga rusët në mediat sociale për të ndërhyrë në fushatën elektorale amerikane të 2016-s, duke favorizuar Donald Trump.
Shfaqja e disa shembujve të përmbajtjeve të sponsorizuara nga Kremlini në prani të avokatëve të Google, Facebook dhe Tuiter, konfirmoi drejtëpërdrejtë hipotezat se sa e madhe ishte shtysa e Moskës për të manipuluar votën në Shtetet e Bashkuara, përmes lajmeve false dhe dezinformimit.
Për shembull: “Aktivistët me ngjyrë”, dhe “Kthe distinktivin” ishin dy profile false që u krijuan me qëllimin për të nxitur votuesit e shqetësuar nga raportet e policisë me komunitetin afroamerikan. Më tej është krijuar edhe profili “Ushtria e Jezusit”, që ilustronte në faqe një luftë mes Krishtit dhe djallit me shkrimin: “Satani thotë: Nëse unë fitoj, edhe Klinton fiton”. Postimet e Rusisë në Facebook, tregojnë drejtuesit e rrjetit social në komisionin e Senatit Amerikan që heton ndërhyrjet e Moskës në zgjedhje, janë lexuar nga 126 milionë amerikanë.
Gjithashtu, Kremlini ka ndikuar tek votuesit dhe me anë të Instagramit. Senatori demokrat, Martin Heinrish, gjatë seancës ka kritikuar ashpër presidentin Donald Trump dhe i ka përkufizuar reklamat në rrjete sociale si një mashtrim.