Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot, 31 gusht, në poligonin e qitjes “Češka zbrojevka” në Danillovgrad të Malit të Zi, ku tre persona kanë mbetur të vrarë, njoftoi Policia e Malit të Zi.
Sipas autoriteteve, policia është vënë në kërkim intensiv të autorit të dyshuar, i cili dyshohet se është i armatosur dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Drejtoria e Policisë ka publikuar të dhënat e Mihail Nikolajeviç Shabunin (Mihail Nikolaevič Shabunin), 30 vjeç, shtetas rus, i cili dyshohet se ka kryer vrasjen e trefishtë në poligonin “Češka zbrojevka”, duke përdorur armë zjarri.
Shabunin dyshohet për veprën penale “vrasje e rëndë” ndaj shtetasve të Podgoricës, Nemanja Kapor, 20 vjeç, dhe Petar Globareviç, 24 vjeç, si dhe ndaj Momir Radonjiç, 67 vjeç, nga Danillovgradi.
“Policia po punon intensivisht për gjetjen dhe arrestimin e personit në fjalë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacion për të dyshuarin ose e vërejnë atë, të raportojnë të dhënat për vendndodhjen dhe lëvizjet e tij në numrin falas të policisë 122, përmes aplikacionit Policija CG (Stacioni Virtual i Policisë) ose në forma të tjera.
Policia thekson se informacioni për personin mund të jepet edhe në mënyrë anonime.
Drejtoria e Policisë ka apeluar te qytetarët që të ndihmojnë në lokalizimin e Shabuninit.
“U lutemi qytetarëve të ndihmojnë në lokalizimin e këtij personi, duke theksuar se çdo fshehje e informacionit për një person që është në kërkim përbën vepër penale”, thuhet në njoftimin e policisë.

