Një person ka humbur jetën dhe rreth 15 të tjerë rezultojnë të zhdukur, pasi përmbytjet e menjëhershme goditën Kanionin e Madh në Arizona, duke shkaktuar rrëshqitje dheu, dëme të mëdha dhe evakuime me helikopter.
Viktima është një 46-vjeçar, trupi i të cilit u gjet përgjatë lumit Colorado. Ndërkohë, autoritetet amerikane vijojnë kërkimet për personat që ende nuk janë gjetur.
Më shumë se 60 alpinistë dhe kampistë u evakuuan me helikopter pasi reshjet e dendura sollën ujëra të rrëmbyeshëm dhe rrëshqitje dheu. Forca e ujit mori me vete ura për këmbësorë dhe ndryshoi shtratin e përroit, ndërsa gurët dhe mbetjet dëmtuan zona të tjera të parkut.
Përmbytjet kanë shkaktuar dëme serioze edhe në infrastrukturën e furnizimit me ujë. Tubacioni kryesor që furnizon me ujë të pijshëm pjesë të parkut është dëmtuar, duke detyruar autoritetet të ndalojnë qëndrimet gjatë natës në disa struktura akomoduese brenda parkut.
Rreziku nuk ka kaluar ende. Parashikohen reshje dhe stuhi të tjera, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet për personat e zhdukur dhe përpjekjet për të garantuar sigurinë e vizitorëve.
Kanioni i Madh është një nga destinacionet turistike më të vizituara në Shtetet e Bashkuara, me rreth 6 milionë vizitorë çdo vit./abcnews.al

