Kante: Me Conte ishim “zjarr”, Tuchel më donte te PSG. Chelsea? Jemi rikthyer

schedule16:59 - 6 Mars, 2021

schedule 16:59 - 6 Mars, 2021

Ngolo Kante është pjesë e Chelsea prej vitit 2016. Në sezonin e parë me “Blutë e Londrës” fitoi titullin kampion. Në stol ishte Antonio Conte, italiani ia doli të formonte një “makineri” të frikshme që dominoi Premier League, periudhë të cilën mesfushori e kujton me kënaqësi të madhe.

Kampioni i botës, një ndër më të mirët në rolin e tij, flet për kanalin zyrtar të Chelsea rreth aventurës londineze, teksa e mbyll me Thomas Tuchel, i cili ia ka dalë të transformojë për mirë ekipin anglez që prej momentin që mori detyrën e trajnerit të ekipit.

Kanë qenë të shumta momentet e rëndësishme që kam kaluar te Chelsea: ndeshja e parë në ‘Stamford Bridge’ apo goli im i parë dhe titulli i parë me këtë skuadër. Nëse më duhet të zgjedh momentin më të mirë, atëherë zgjedh ditën e ndeshje me WBA, sfidë ku u shpallëm kampionë.

 

Conte duke festuar me Kante

Isha në pankinë, por mbetet një nga kujtimet më të bukura. Periudha ime më e mirë te Chelsea ka qenë me Antonio Conten, atë sezon fituam 10 ndeshje radhazi. Ishte një periudhë kur zbrisnim në fushë plot besim, skuadra luante bukur dhe dominuam çdo kundërshtar.

Ndihesha shumë mirë në fushë dhe është një ndër momentet më të bukura të miat te Chelsea. Tuchel? Ai na motivon dhe ia ka dalë të sjellë ndryshimin e nevojshëm. E di që më ka kërkuar kur ishte trajner i PSG-së, ka pasur disa negociata, por nuk doja të largohesha, isha i lumtur këtu.

Nuk kam biseduar kurrë me të në lidhje me transferimin te PSG. Tani ndihem për mrekulli te Chelsea. Luaj në një rol që më pëlqen, edhe te Leicesteri dhe Franca jam aktivizuar në këtë pozicion, aty ku ia dal të ndihmoj edhe më shumë ekipin“, thekson Kante. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!