Ende nuk dihet shkaku i vrasjes së Alket Muhos në Memaliaj, për të cilin thuhet se ishte informator i policisë. Dyshohet se ai njoftoi për parcelat me kanabis, por është ngritur edhe një version tjetër, ku flitet për vrasje për konflikt pronësie.
Policia ka shoqëruar shtatë persona për vrasjen e Alket Muhos në Memaliaj i cili dyshohet se ishte informatori i policisë.
Viktima është qëlluar me shtatë plumba në anën e majtë të trupit, në pjesën e pasme.
Babai i viktimës Gjokë Muho kërkon të kapen autorët që i vranë të birin.
Pyetje: “Është vrarë me dy armë”?
Babai: “Me dy armë. Ka pasur edhe çifte, edhe automatik. Kanë qëlluar një herë me automatik, pastaj… them unë me paraqitjen time them që ata kanë vajtur ia kanë futur te koka atje afër”.
Pyetje: “Dini gjë, ka pasur një konflikt pse ka ndodhur kjo gjë”?
Babai: “Konflikt ne nuk dimë. Konflikt kaq të hapur që të jetë kaq gjendja e rëndë”.
Prokuroria ka konfirmuar se Muho është qëlluar me një automatik model 56 nga një distancë e afërt.
Në vendngjarje janë zhdukur gëzhojat, pasi nuk është gjetur asnjë e tillë. Grupi hetimor ka dyshime se armës automatike i është vendosur një rrobë për të mos lenë gëzhoja në vendin e krimit.
Ndërkohë mësohet se Muho ka qenë duke folur në telefon me gruan momentin kur u qëllua.
Ajo ka dëgjuar krismat e armëve dhe ka shkuar e ka gjetur të shoqin të vrarë në arë.
Një ditë para krimit në atë zonë, pranë fshatit Gllavë, policia ka sekuestruar disa paracela me kanabis, ndërsa ka vënë nën hetim dy persona.
Por ka dyshime se vrasja mund të jetë bërë edhe për çështje pronësie./abcnews.al