Në një prej zonave ku prej vitesh janë gjetur gjurmë të një vendbanimi të lashtë, arkeologët kanë nxjerrë së fundmi në dritë një tjetër mozaik në Qesarat të Memaliajt.
Zbulimi është bërë gjatë gërmimeve që Instituti i Arkeologjisë shqiptare po zhvillon në bashkëpunim me Universitetin e Barit në Itali.
Në rrënojat e një ndërtese që mendohet se i përket shekullit të IV, periudhës romake, janë zbuluar disa ambiente me dysheme të dekoruara. Motive gjeometrike, figura njerëzore dhe fragmente pikturash murale japin një tjetër dëshmi për mënyrën se si është jetuar në këtë territor shekuj më parë.
Por kjo nuk është hera e parë që Qesarati surprizon arkeologët.
Gjurma të jetës së hershme në këtë zonë janë dokumentuar që prej vitit 1936. Furra pjekjeje, qeramika, skulptura, ambiente banimi dhe mozaikë janë zbuluar ndër vite, duke shtuar të dhënat për një territor që ende nuk e ka treguar të gjithë historinë e tij.
Një prej mozaikëve është zbuluar rastësisht në vitet ’80, gjatë hapjes së tokave bujqësore. Por zbulimi nuk u dokumentua siç duhet. Mozaiku u mbulua sërish dhe sot, përveç dëshmive për ekzistencën e tij, nuk ka as fotografi që të tregojë saktësisht se si dukej apo ku ndodhej.
Por si do të ruhen dhe a mund të kthehet Qesarati në një zonë të vizitueshme për publikun?
Edhe për ekipin italian që po merr pjesë në gërmime, ajo që po zbulohet në Qesarat është vetëm një pjesë e një historie shumë më të madhe.
Për momentin, arkeologët po punojnë vetëm në një sektor të zonës. Por gjetjet e mëparshme janë shfaqur në pika të ndryshme, duke lënë të hapur mundësinë që gjurmët e këtij vendbanimi të shtrihen në një territor shumë më të gjerë.

