Barcelona luan nesër një ndeshje shumë të rëndësishme për fatet e sezonit. Katalanasit sfidojnë Sevillan në ndeshjen e kthimit të Kupës, kur të parën e kanë humbur me shifrat e pastra 2-0.
Thuajse e sigurt para kësaj ndeshje ishte mungesa e Pedrit, i cili u dëmtua në ndeshjen me andaluzët në La Liga më datë 26 shkurt. Pas ekzaminimeve mjekët vunë re një tërheqje muskulore në pjesën e poshtme të këmbës së majtë.
Sipas tyre Pedrit do i duhej rreth tre javë për t’u kthyer në fushë, duke bërë të sigurt edhe mungesën në ndeshjen e kthimit ndaj PSG, kur Barcelonës i duhet një remundtada akoma më e madhe.
Por Pedri ka thyer të gjitha pritshmëritë. Koeman tregoi në konferencë për shtyp se ai është stërvitur normalisht me ekipin sot dhe është gati për ndeshjen e nesërme, megjithëse për arsye sigurie nuk pritet ta nisë nga minuta e parë. /abcnews.al