Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Letta: Shqipëria integrim në tregun e BE/ Ish-kryeministri i Italisë mendon se procesi duhet të kryhet para anëtarësimit

schedule23:36 - 9 Tetor, 2026

schedule 23:36 - 9 Tetor, 2026

Vendet kandidate të përfitojnë nga integrimi ekonomik edhe përpara anëtarësimit formal në Bashkimin Evropian. Kjo është perspektiva që sjell në vëmendje ish-kryeministri italian dhe presidenti i Institutit Jacques Delors, Enrico Letta, duke e vendosur tregun e përbashkët në qendër të procesit të zgjerimit të BE-së.

Për Shqipërinë, kjo qasje përfaqëson një mundësi për të afruar më tej ekonominë me tregun evropian, për të zgjeruar shkëmbimet tregtare, për të tërhequr investime dhe për të forcuar konkurrueshmërinë e bizneseve.

“Brukseli po fillon të kuptojë se zgjerimi dhe tregu i vetëm mund të bashkohen, se tregu i vetëm mund të bëhet, edhe para anëtarësimit formal, pjesë e jetës së përditshme të njerëzve në vendet kandidate. Zgjidhja është të ndërtojmë tregje funksionale midis vendeve candidate, të krijojmë mentalitetin e tregut të vetëm para anëtarësimit, në mënyrë që kur të vijë anëtarësimi, procesi të mos fillojë nga zero”, tha ai.



Mesazhi u përcoll nga Letta në Forumin për Shoqërinë Civile, të mbajtur në Prishtinë, ku ai theksoi rëndësinë e lidhjes së zgjerimit evropian me rezultate konkrete për qytetarët dhe ekonomitë e vendeve kandidate.

Për Shqipërinë, afrimi gradual me tregun e përbashkët nënkupton perspektivën e më shumë mundësive për bizneset, lehtësimin e shkëmbimeve tregtare dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet evropiane. Një proces që ecën paralelisht me reformat dhe përmbushjen e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Për zgjerimin, tregu i vetëm nuk është thjesht metaforë. Është instrumenti. E kam mbrojtur këtë qëndrim në Bruksel që nga fillimi, sepse nëse zgjerimi perceptohet nga qytetarët — si në vendet kandidate ashtu edhe në shtetet anëtare — si diçka që ndodh larg, midis vendimmarrësve, në kapituj dhe kritere pa lidhje me jetën e tyre të përditshme, atëherë humbet tërësisht kuptimi i Europës. Rruga e vetme drejt sigurisë  ekonomike, financiare, teknologjike  është integrimi”, tha ai.

Për Shqipërinë, afrimi me tregun e përbashkët evropian mbetet një mundësi për të forcuar ekonominë dhe për të përshpejtuar integrimin në BE. Siç thekson Enrico Letta, zgjerimi duhet të shoqërohet me hapa konkretë, në mënyrë që përfitimet e Evropës së përbashkët të ndihen në jetën e përditshme të qytetarëve, edhe përpara anëtarësimit të plotë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!