TIRANË- Pas tensionit që shoqëroi votën përpara reformës territoriale, Kryeministri Rama flet për duar të pista që, sipas tij, tentuan të sabotojnë. Në një mesazh të fortë kundërshtarëve politikë, por edhe të tijve, kreu i maxhorancës lë të kuptohet se ai e ka nën kontroll llogarinë e partisë së tij, duke e cilësuar votimin e reformës territoriale si fitore politike të maxhorancës.
Analisti Martin Leka, i ftuar në “Ora e Njëmbëdhjetë” tha se miratimi i ligjit për reformën territoriale tregoi se Partia Socialiste nuk është e përçarë, ndryshe nga ajo se çfarë “shpresonte” Partia Demokratike apo dhe opozita.
“PS tregoi se nuk është e përçarë. Reforma nuk kishte gjasë që të mos kalonte. Nuk ka asnjë shpresë për të përçarë PS dhe për të krijuar diversione rreth Ramës apo rreth Partisë Socialiste”, tha ai.
Ai theksoi se ideja e Partisë Demokratike për 100 bashki ishte një lajthitje e madhe, ndërsa shtoi se koha e ka provuar se shtimi i njësive vendore rrit kostot dhe numrin e administratës, por pa efektivitet në kryerjen e shërbimeve.
“Ideja e PD me 100 bashki ishte lajthitje. Sa më shumë njësi të jenë që më shumë fryhet administrata, aq më shumë shtohen kosto. PD është një forcë politike, në të cilën ajo që mungon më së shumti është mungesa e demokracisë brenda saj”, tha ai.
Po ashtu, Leka komentoi dhe përfshirjen e Chris Lacivita në fushatën e Millorad Dodik në Bosnjë Hercegovinë dhe imapktin që ka ky emër te Sali Berisha.
Ai theksoi se Berisha e përdori atë për të blerë një vizë në SHBA, pasi sa i takon zgjedhjeve të 2025, puna e tij nuk rezultoi e suksesshme përballë PS, e cila fitoi plot 83 mandate.
“LaCivita ishte një karrem që u përdor nga PD dhe nga Sali Berisha për të krijuar një tjetër imazh, dhe pse jo për të krijuar mundësinë e një ideje tek votuesit që është përfaqësues i Trump. Në fakt ishte një mashtrim i madh.
Ai doli një kokërr mashtruesi, sepse gjithë kohës së fushatës së PD erdhi vetëm dy herë në Shqipëri dhe nuk krijoi asnjë impakt për PD që ajo mund t’i afrohej marrjes së pushtetit”, tha ai./abcnews.al


